Agjencia Kadastrale dhe Posta merren vesh për përdorimin e adresave zyrtare

02 mars 2020 | 15:40

Agjencia Kadastrale e Kosovës është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për hartografi dhe GIS, për sistemin e unifikuar të adresave, për infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore dhe për administrimin e Infrastrukturës së Teknologjisë së Informacioneve.

Si e tillë, Agjencia Kadastrale e Kosovës është në përpjekje të vazhdueshme të zgjerimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve të saj nga institucionet publike, sidomos të atyre që në baza të rregullta përdorin produktet dhe shërbimet e saja.

Njëherësh, duke marrë parasysh se Agjencia Kadastrale e Kosovës së fundmi ka ndërmarrë disa reforma ligjore të cilat avancojnë si regjistrimin e pronës po ashtu edhe sistemin e adresave, ajo ka filluar një fushatë intensive takimesh me palë të interesit të cilat janë të afektuar nga këto ndryshime legjislative.

Për këtë arsye, të hënën në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, i cili ishte i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Drejtorisë për Teknologji të Informacionit në AKK, Afërdita Thaçi dhe udhëheqësin e Njësisë për Sistemin e Adresave në AKK, Amir Sogojeva, me përfaqësuese të Postës së Kosovës, kryeshefin ekzekutiv të Postës së Kosovës Shefqet Avdija, drejtorin e Operativës Burim Geci, menaxherin e TI-së dhe SI-së Ragip Zogiani dhe zyrtarin për Marrëdhënie me Publikun, Arsim Mehmeti.

Në takim, pos shkëmbimit të informacioneve të përgjithshme të institucioneve respektive dhe identifikimit të fushave ku bashkëpunimi do të mund të rritej, është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me theks të veçantë rreth shfrytëzimit të adresave zyrtare të Republikës së Kosovës nga Posta e Kosovës.

Kjo marrëveshje, pos që ka për qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve rreth shfrytëzimit dhe shpërndarjes së të dhënave të adresave zyrtare, rregullon edhe përgjegjësitë e institucioneve në fjalë karshi përdorimit të adresave, si dhe njeh dhe fuqizon rolin e Postës së Kosovës rreth informimit të të dhënave të adresave zyrtare tek qytetarët, bizneset, institucionet dhe organizatat e ndryshme.

Posta e Kosovës ka shprehur gatishmëri që të bëjë shpërndarjen individuale/personale të dërgesave/informacionit tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me qëllim të informimit rreth adresave në vendbanimet ku jetojnë.

Palët u dakorduan që AKK të iniciojë formimin e Grupit Punues të përbashkët me zyrtar të Postës së Kosovës, krejt me qëllim të ngritjes së kualitetit të shërbimeve ofruar qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo është gjithmonë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë me ndjekësit…