PSD-ja: Qeveria mos t’i mbajë fshehtë marrëveshjet e nënshkruara në Mynih

04 mars 2020 | 13:58

Partia Socialdemokrate sot ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për të parë përmbajtjen e marrëveshjeve të Mynihut.

Kjo parti ka bërë me dije se qeveria po i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar.

“Sot janë bërë 20 ditë që prej se janë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë. Është fjala për Marrëveshjen për Hekurudhat dhe atë për Autostradat. Përveç ceremonisë së nënshkrimit që e kemi parë përmes mediave, askush nuk di gjë për to. Qeveria po i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar”, është thënë në një komunikatë për medie të kësaj partie.

Sipas PSD-së, Qeveria nuk po i publikon këto marrëveshje sepse nuk ka guxim të mbaj asnjë qëndrim për to.

“Marrëveshjet janë nënshkruar më 14 shkurt, pra në kohën e Qeverisë Kurti. Publikimi i tyre shtron natyrshëm pyetjen mbi përmbajtjen e tyre. Qeveria nuk po i publikon marrëveshjet sepse nuk ka guxim të mbaj asnjë qëndrim për to. Por, duke i mbajtur të fshehta ato, ajo po e shkel ligjin. E drejta për qasje në dokumentet publike është një e drejtë e garantuar. Ajo garantohet nga Neni 41 i Kushtetutës dhe nga Ligji NR.06/L-081 Për Qasje në Dokumentet Publike. Censura është praktikë jo demokratike dhe shkelje e ligjit”, është vlerësuar në komunikatë, duke shtuar se kryeministri Kurti dhe ministri Abdixhiku duhet të përgjigjen për këtë. “Kohëve të fundit kryeministrin e kemi parë në rolin e gazetarit hulumtues duke publikuar dokumente të vitit 2013. Por, për t’u bërë kredibil, ai duhet t’i zbardh dhe të na tregojë nëse është dakord me marrëveshjet e nënshkruara para 3 javësh”, është thënë në komunikatën e PSD-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar pjesët e para në tri ndeshjet e IPKO…