Kurti: FSK-ja, partnere e madhe e Amerikës

05 mars 2020 | 14:18

Në nderim të 22-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, sot trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ka thënë se 22 vjet më parë anëtarët e familjes Jashari nuk kursyen jetën për të luftuar me agresorin serb.

Ai ka deklaruar se Kosova tashmë ka një ushtri të fortë dhe të pavarur.

“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në prani të ushtrisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të ‘Epopesë së UÇK’-së e cila do të ketë çdoherë në krye komandantin Adem Jasharin”.

“22 vite më parë, po ndodhte kulmimi i një situate të re, po ndodhte diçka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë, po ndodhte që një familje e tërë, me vetëdije e të pa trembur që po luftonte me Serbinë. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme humbim liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi në politikën e jashtme atëherë humb shteti”, ka thënë Kurti, duke shtuar se është në interes të Kosovës, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Është interesi ynë aleanca me ShBA-të pasi ne ndajmë aspiratat e përbashkëta. Këtë aleancë nuk mund ta cenojë dhe ta prishë askush pasi është krijuar dhe kultivuar me gjenerata”.

“ShBA-të e duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur. FSK-ja mund të ngjajë ushtri e vogël, por ajo është partnere e madhe dhe e denjë e ShBA-së. Borxhi ynë ndaj Jasharëve shlyhet vetëm me shtetndërtim”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe tek varrezat…