Sahiti: Futbollistët do ta japin maksimumin ndaj Maqedonisë

05 mars 2020 | 22:48

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në histori, atë në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut. Sa më shumë që po kalojnë ditët, emocionet për këtë ndeshje po shtohen bashkë me entuziazmin dhe dëshirën e “dardanëve” që ta sigurojnë kualifikimin në një ngjarje të madhe të futbollit evropian.

Ndihmëstrajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, në një intervistë për “KosovaPress” fillimisht foli për përgatitjet që stafi i përfaqësueses ka bërë deri më tani. Sipas tij, Kosova është e gatshme për përballjen ndaj Maqedonisë, ndërsa përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur qysh nga ndeshja e fundit, që “dardanët” kanë zhvilluar ndaj Anglisë.

“Sa më shumë që po afrohet koha e ndeshjes aq më shumë po kemi angazhime rreth përgatitjes së përfaqësueses. Në fakt, përgatitjet kanë filluar nga ndeshja e fundit e kualifikimeve që patëm me Anglinë duke e pasur parasysh rëndësinë e kësaj ndeshje. Pra, jemi duke përcjell jo vetëm lojtarët tanë, por edhe kundërshtarin, paraqitjen e tij”, ka thënë Sahiti, i cili ka shtuar se e rëndësishme është që futbollistët po kanë minuta të duhur në skuadrat e tyre, andaj edhe forma e tyre është në rritje. “Gjithmonë ne varemi nga performanca e lojtarëve nëpër klube. Forma e tyre fizike është jashtëzakonisht e mirë. Ne jemi të kënaqur me paraqitjen e tyre”, ka shtuar ai.

Duke ditur se Maqedonia është një kundërshtare tejet e fortë për Kosovën, Sahiti u shpreh se së bashku me stafin e përfaqësueses kanë analizuar çdo detaj të kundërshtarit, në mënyrë që Kosova të jetë më e përgatitur fizikisht dhe emocionalisht për këtë ndeshje të rëndësishme. “Po, është një skuadër që nuk duhet nënçmuar. Kemi lojtarë që luajnë nëpër klube jashtëzakonisht të organizuara. Lojtarët kryesorë po kanë kohë të lojës mjaftueshëm, por besoj se në këtë ndeshje nuk do të vendosë vetëm kualiteti, por edhe faktorë të tjerë. Kështu që mund të them se faktori i motivimit mund të ndikojë edhe më shumë. Ne kemi një përfaqësuese shumë të bashkuar”, ka deklaruar Sahiti.

Sa i përket një parashikimi të mundshëm për këtë ndeshje, ndihmëstrajneri i Kosovës u shpreh se është vështirë për një gjë të tillë, duke parë edhe formën aktuale të dy përfaqësueseve. “I vështirë parashikimi por, sidoqoftë, ne do të përgatitemi për ta fituar ndeshjen. Këta djem më 26 mars do të bëjnë gjithçka për të arritur rezultat pozitiv”, ka përfunduar Sahiti.

Ndeshja Maqedoni – Kosovë zhvillohet më 26 mars, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin e qytetit në Shkup, ndërsa fituesi i kësaj ndeshje do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes tjetër Gjeorgji – Bjellorusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për Ilva Now pranoi…