SHËMBËLLTYRA E ADEM JASHARIT DHE FAMILJES SË TIJ NË POEZINË E SOTME SHQIPE

05 mars 2020 | 23:44

Myrvete DRESHAJ-BALIU

Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëlltyrës së Adem Jasharit dhe Familjes së tij në poezinë e sotme shqipe. Pas luftës së Kosovës janë shkruar shumë tekste letrare, historike, kulturore e madje filozofike mbi paradigmën e heroizmit dhe rënies së Familjes Jashari, në të vërtetë mbi mitin e rënies legjendare të saj për lirinë e Kosovës.

Prej kërkimeve të gjertanishme, me pikësynim heroin Adem Jashari dhe Familjen e tij në poezinë bashkëkohore shqipe, kemi vënë re se për aktin e madhërishëm të tyre janë shkruar shumë krijime poetike nga krijues që jetojnë në hapësirën shqiptare dhe nga ata në diasporë. Kemi vënë re gjithashtu se për Familjen Jashari në përgjithësi dhe Adem Jasharin në veçanti, janë shkruar poezi, poemtha dhe poema epike-historike, këngë dhe poezi lirike, nga krijues me përvoja të ndryshme letrare, të hershme dhe të vonshme, ndërsa emrat më të njohur të cilët kanë artikuluar deri më tash edhe vlera të veçanta letrare e artistike janë: Agim Vinca, Zenun Gjocaj, Adem Zejnullahu, Adem Gashi, Ilir Shaqiri, Bedri Islami, Ajet Shala etj.

Përgjithësisht, pjesa më e madhe e krijimeve poetike të gjertanishme me këtë temë bartin në vargje rrëfimin historik dhe artistik të ngjarjeve me figuracion e shprehshmëri të veçantë emocionale dhe mjete të arrira gjuhësore-stilistike. Pavarësisht nga këto vlera, kryevepra në krijimtarinë shqipe për heroizmin e Familjes Jashari në përgjithësi dhe shëmbëlltyrën e Adem Jasharit në veçanti ende nuk është shkruar.

Hyrje

Akti madhështor i luftës dhe i flijimit të Familjes Jashari, 20 vjet pas, në artet letrare përgjithësisht dhe në artin poetik, prozaik dhe dramatik veçanërisht, kemi pritur që deri më tash të arrijë majatë e realizimit letrar artistik, tradicional dhe modern njëherazi. Si asnjëherë më parë, nga Skënderbeu e këndej kuptimi i simbolit të qëndresës dhe heroizmit, identitetit kombëtar dhe atdheut, nuk merr përmasa të këtilla sa me komandantin legjendar Adem Jashari dhe Familjen e tij.

Po të bëhet një sintezë sado skematike e historisë së letërsisë shqipe, nuk është vështirë të shihet se ajo në të vërtetë është letërsi e periudhave pak a shumë historike, e lëvizjeve kombëtare, e shkrimtarëve dhe e heronjve të saj. Në të vërtetë më shumë se histori e zhvillimeve gjithëpërfshirëse të Ilirisë, letërsia shqipe është biografi e personaliteteve të saj: Teutës dhe mbretërve të tjerë, që në realitet, më shumë se mbretër shfaqen si heronj tragjikë të epokës; periudha e mesjetës, më parë se sa me pamje të tjera u kurorëzua me veprën e Marin Barletit për Skënderbeun; periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila më parë se sa me vlerat e tjera kombëtare të kohës, u kurorëzua me kryeveprat e Jeronim De Radës e Naim Frashërit për Skënderbeun dhe bëmat e tij, shëmbëlltyra e të cilit rishfaqet pandërprershëm gjatë shekullit XIX-XX me një varg veprash artistike, të llojeve dhe gjinive të tjera të realizimeve estetike.

Një zhvillim tipik të kësaj natyre e kanë edhe letërsitë e tjera të popujve të vegjël dhe madje edhe të popujve të mëdhenj, letërsia e popujve fqinjë dhe e popujve më të largët, të cilët vështirë heqin dorë nga shenjat e përveçme, me të cilat ndërtojnë historinë e tyre apo bëjnë kthesat e mëdha historike në jetën dhe zhvillimet e tyre.

Pavarësisht nga shenjat dalluese të popujve me të cilat ata shfaqen në skenën e përbotshme, bardët e kujtesës së tyre – shkrimtarët, krijojnë edhe vepra të veçanta të artit letrar, me të cilat ata identifikojnë periudha të caktuara, të mëdha a të vogla, historike dhe i shpirtëzojnë ato me plot ndjenja dhe përjetime të veçanta.

Autorë dhe poezi përkushtuese

Letërsia shqipe e fillimit të shekullit XXI e ka një shembull brilant në jetën e saj, që të kurorëzojë një a më shumë vepra të saj, dhe madje një a më shumë gjini a lloje të shkrimit, mbështetur në bëmat e pashembullta dhe madje më tragjiket dhe vetëflijueset në historinë njerëzore: heroin sa real aq edhe mitik – Adem Jashari dhe flijimin e Familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Ç’vend zë deri më tash heroi ynë Adem Jashari në këtë raport personalitetesh letrare dhe ngjarjesh historike e artistike të vendit të tij? Cila është fizionomia interesante jetësore dhe heroike e tij në poezinë e sotme shqipe? Cila është rruga e vështirë, por e ndershme deri në flijim dhe cila është odisejada e vërtetë e kësaj rruge të mospajtimit të tij dhe të Familjes së tij me regjimin shtypës, që reflekton dhe do të duhej të reflektonte ende në krijimtarinë letrare artistike? Sa ndikon krijimtaria e deritashme letrare me këtë temë të madhe në vetëdijen e lexuesit, në formimin e tij ideor, etik dhe estetik?

Nuk ka dyshim se Adem Jashari dhe Familja e tij zë vendin më të rëndësishëm në Panteonin e vlerave të atdheut, por a duhet arti ynë letrar t’i bëjë më të gjera këto relacione: ballkanike, evropiane dhe mbarë botërore, sepse lufta dhe flijimi biblik i tij i ka kaluar kaherë kufijtë e atdheut! Mirëpo, që nga rënia e Familjes Jashari, krijimtaria letrare-poetike, qoftë e identifikuar me Adem Jasharin, qoftë me Familjen e tij, përgjithësisht nuk ka munguar, madje disa prej krijimeve poetike gjatë luftës janë kthyer në këngë dhe janë bërë motiv i ushtarëve ndër beteja dhe demonstruesve në sheshe qytetesh. Sot, do theksuar se faqet e internetit janë të mbushura me poezi, kryesisht me vlera modeste të realizimit artistik, kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, nga autorë më pak a më shumë të njohur dhe madje nga nxënës shkollash, të cilat i kanë shkruar në prag të Ditës së Flamurit e Ditëlindjes së Komandantit, si dhe festave të nëntorit e marsit përgjithësisht.

Në referimin tonë, po i identifikojmë disa prej shkrimtarëve, krijimeve të tyre poetike, përjetimeve të brendshme, përfytyrimeve për heroin dhe përgjithësisht vlerave ideore e tematike, si dhe realizimeve artistike e estetike të vargjeve të tyre. Do theksuar se pjesa më e madhe e këtyre krijimeve poetike është identifikuar nga pjesëmarrësit e Konkursit ndërkombëtar letrar kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, të organizuar më 2008, prandaj në një mënyrë a një tjetër përfaqësojnë përzgjedhjet më të mira të krijimeve të autorëve të tyre, sado që në pikëpamje të peshës artistike, siç do të shprehej studiuesi i kësaj fushe, Agim Vinca, kemi “më shumë vargime sesa poezi” a realizime artistike të llojeve të tjera shkrimore.

Duke parë përgjithësisht krijimtarinë letrare të gjertanishme sipas nivelit artistik, mund të konkludojmë se vepra letrare: romane, novela, tregime, drama dhe poema me karakter antologjik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij ende nuk janë shkruar, ashtu sikur ende nuk janë shkruar vepra të gjinive dhe llojeve të kësaj natyre as për Luftën e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj, prandaj ende nuk mund të priten studime mbi këtë temë, por studime mund të bëhen besoj për poezi më të realizuara dhe më të artikuluara për kah shprehja poetike, si dhe për vlera estetike të filmit, muzikës dhe artit pamor.

Adem Jashari dhe Familja e tij janë ajo pasuri ndjenjore e të gjithë krijuesve që ofrojnë më shumë se një simbolikë. Ai personalisht e tejkalon, madje edhe sakrificën e njohur në mitologjinë e antikitetit për Prometheun. Sakrifica e tij dhe e Familjes së tij përshkon një dimension të panjohur deri më tash madje edhe në mitologjinë dhe historinë e sakrificave të vetëdijshme kolektive, si kusht për të ndryshuar gjendjen e një populli të robëruar. Për shpëtimin e Prometheut (Ademit), nuk mjaftonte vetëm një Kiron, duheshin më shumë, prandaj sakrifica e tij merr dimensione të tjera, më tragjike se ato që i njeh historia dhe madje mitologjia e kujtesës njerëzore: sakrificën kolektive nga gjyshi te nipi, sakrificën e tre brezave, njëkohësisht!

Në trajtimin tonë kishim parasysh kryesisht poezinë dhe poemën e dërguar për Konkursin  kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, si dhe poezi të tjera të publikuara nga krijues shqiptarë kudo që jetojnë: Agim Vinca, Adem Zejnullahu, Ragip Gjoshi, Riza Lahu (Tiranë), Bedri Islami (Shkodër), Ilir Shaqiri, Ajet Shala (Zvicër), Namik Selmani (Berat), Hyqmet B.Hasko (Tiranë), Myrteza Mara (Vlorë), Mevlyde Mezini-Saraçi, Flori Bruqi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Nezir Myrta, Rizah Sheqiri (Suedi), Ali R. Berisha, Rrustem Geci (Zvicër), Arif Molliqi, Agim Gashi (Francë), Xhabir H.Alili (SHBA), Etlevë Durmishi (Tiranë), Halil Xani, Shefki Ollomoni (Suedi), Julia Gjika (SHBA) etj.

Parë në tërësinë e tyre nuk është vështirë të shihet synimi i autorëve që në krijimtarinë poetike të artikulojnë një mesazh krenarie kombëtare, në të vërtetë, synimin e tyre për të sjellë një biografi sa më të plotë jetëshkrimore e historike të heroit Adem Jashari; një model pak a shumë epik i njohur më parë kryesisht në poezitë a poemat kushtuar jetës dhe bëmave të Skënderbeut; një synim autorësh që në krijimtarinë e tyre për Adem Jasharin, Familjen e tij dhe kur e kur edhe të bashkëluftëtarëve të tij, të rindërtojnë historinë në njërën anë dhe kategoritë filozofike, etike dhe estetike: të madhërishmen, të bukurën, të mirën, të drejtën, e të shëmtuarën, në anën tjetër; hapësirë kjo tipike e eposit legjendar dhe epeve historike kombëtare për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarët e tij. Pamjes epike dhe natyrës legjendare të jetës individuale të Adem Jasharit dhe Familjes së tij, madje nuk do të mund t’i “shpëtojë” edhe njëri prej studiuesve dhe lirikëve më të përkushtuar në poezinë bashkëkohore shqiptare, studiuesi e poeti Agim Vinca, që në poezinë Fillim i një poeme për Familjen Jashari, veç tjerash, do të shqiptojë edhe këto vargje:

Vdesin në këmbë duke kënduar.

Dhe jetojnë këmbëkryq në këngë.

Po këtë natyrë titulli ka edhe një poemë e shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami, Fillimi i një poeme për Fehmi Lladrovcin, në të cilën është bërë përpjekje për të komunikuar në mënyrë të veçantë me Adem Jasharin dhe Familjen e tij. Është një përpjekje dramatike e dialoguese, një ligjërim personal, për të sjellë imazhet e zhvillimeve të betejave në Kosovë, duke i parë ato të ndërlidhura me rolin e Kryekomandantit Adem Jashari dhe me të gjithë përbërësit e tjerë.

         Ndërmjet këngës dhe poezisë

Prej këngës, përkatësisht prej simbolikës së saj, si edhe pararendësit e bashkëkohësit: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Jusuf Grëvalla etj., nuk arrin të dalë, në mos ndjehet pikërisht në vendin e duhur edhe shkrimtari tjetër i një përvoje të theksuar në lirikën shqipe, Adem Zejnullahu, i cili me Adem Jasharin komunikon me ndjeshmërinë dhe frymën e poezisë popullore:

Desha një këngë më të mirën ta dhuroj,

Me gjuhën e zogjve, o luftëtar!

Për Ty, o trim, me zemër të këndoj,

Për lojën e plagën tënde të parë.

Nëse autori i parë Agim Vinca poemën e ka synim të madh letrar, ndërsa i dyti, Bedri Islami, atë e shkruan në një përmasë të saj, autori i tretë Ilir Shaqiri, në poemën e tij me titull identifikues Adem Jashari, sjell një dialog sa në përmasa kohore brenda epokës, aq edhe në kontekst të komunikimit mes brezash të lashtë kohorë. Poema e Ilir Shaqirit ndonëse në strukturën e saj të jashtme shfaqet me të gjitha përmasat e poemave të deritashme në letrat shqipe, në strukturën e saj të brendshme ajo sjell një model tjetër të sistemit poetik: së pari, me përzgjedhjen e temës së madhe të individit (Adem Jasharit) dhe kompleksitetit dramatik të saj (Familjes); së dyti, me ndërhyrjen dhe krijimin e sistemit fragmentar të tekstit, i cili bëhet me qëllim të thyerjes së “dialogut” brenda tekstit; dhe së treti, me gjuhën e pasur të fjalësit, fjalëformimit dhe të shprehjeve poetike autoriale, si dhe përdorimit gjithëpërfshirës të frazeologjisë shqipe, si tërësi elementesh gjuhësore e stilistike brenda saj. Poema Adem Jashari, që në të vërtetë është poemë për gjithë Familjen Jashari, sakrificën e saj dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës, është gjithashtu edhe një dialog sa personal me heroin aq edhe kolektiv me Familjen e tij. Kjo poemë i ngjan një rrëfimi të rrafshët lirik, ku shprehet gjithë respekti dhe krenaria për heroin dhe Familjen e tij, me një strukturë, përkatësisht, teknikë të jashtme dhe të brendshme të veçantë të ndërtimit të saj, ku përshfaqen veçori ideo-emocionale të poetit dhe të stilit të tij narrativ, të cilin e pasuron një fjalor i ri poetik. Përjetimi i thellë autorial dhe intensiv i veprimtarive atdhetare të heroit, sa ndjenjor dhe shpërthyes përballë tij, po aq lirik dhe i butë kur ju ofrohet filizave fëmijë, është një veçori tjetër e kësaj poeme.

Brenda poemës dialogojnë kohë të ndryshme mes rrëfyesit dhe heronjve të tij, ndërthuren fragmente me karakter historiko-epik:

  • Dëgjoni, u thoshte: /më 6 maj/ në Kështjellën e Kastriotëve, / u lind Gjergji,/ në ditë Shëngjergji;
  • – momente kujtimesh e imazhesh nga e kaluara mes autorit dhe heroit: Të pashë bacë / kur erdhe në ansamblin “Drenica” në prova;
  • – situata dhe domethënie simbolike të ndërlidhura ndërmjet heroit dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore, brenda të cilave vargjet vendosen në rrjedha të zhvillimit, si një mozaik tekstesh të artit popullor: Nana-nanan ’djep prej manit / Ti m’i gafsh bir, Zhujë Selmanit;
  • – të frazeologjisë popullore: Krejt çfarë kishte të shenjtë Shqipëria / kishte rënë mbi supet e tija!;
  • – për t’u përmbyllur me rindërtime tekstesh me gjuhë poetike autentike të krijuesit të saj Ilir Shaqiri, në të cilën vend qendror zënë epitetet e krahasimet me ngjyrime elegjiake të vargut: Formë filluese e dashurisë me qiellin! (…) Avull i pamort shekujsh! (…) Liria është shtegtim i siziftë (…); Fusha s’i shihte, mali i fshihte! (…); Balli Yt/ Ag mëngjesesh;
  • – dhe më tej me leksikun e pasur shprehjesh e trajtash krejt të veçanta e rralla në fjalësin e gjuhës shqipe: epokëbërës, erërrëfyes, ballëlëruar, përtokazi, përzjarrtazi, qivurtari, burrëlisi, i nëpërmalur, burrëlisi i ylltë, jetëpanisurit etj.

Në të vërtetë, poema shquhet për strukturën e pasur ligjërimore, por më parë se sa për perceptimin estetik, sikur do të thoshte profesor Qosja, për ligjërimin e Naim Frashërit në poemën Istori e Skënderbeut, në ligjërimin e Ilir Shaqirit në poemën Adem Jashari, bashkohen tipi i ligjërimit lirik dhe tipi i ligjërimit vlerësues.

Prej përmbajtjes tematike, historike dhe artistike, si dhe prej përbërësve gjuhësorë, teoriko-letrarë, artistikë e estetikë të kësaj poeme, e cila mund të thuhet se hap mozaikun e trajtimit të shumanshëm të krenarisë kombëtare, sikur dëshiron ta shquajë autori, më shumë se sa tragjikes, të cilën e pret lexuesi, mund të themi se ajo paraqet vetëm boshtin e një poeme historike, në të cilën ka shumë hapësirë edhe për personazhet e tjera të kësaj drame të madhe të Familjes Jashari dhe drame heroike të popullit shqiptar.

Nëse do të kërkonim një vepër artistike në të cilën përmblidhen gjithë përbërësit historikë, zhanrorë dhe artistikë kushtuar Adem Jasharit, kjo është poema e Zenun Gjocajt, Adem Jashari, që përfshinë kapitullin e dytë të veprës epike Krahët e shqipes. Studiuesi dhe shkrimtari Zenun Gjocaj, në veprën e tij Krahët e shqipes, ka synuar të realizojë një projekt të madh antologjik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë poema është realizuar si një tekst tipik i këngëve legjendare, por që brenda saj janë ndërlidhur me mjaft sukses episode historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar, elemente të mitit e të legjendave, hiperbola nga eposi i kreshnikëve dhe simbole të tjera etnografike. Poema sjell një pasuri shembujsh me vlera leksikore, shprehjesh stilistike e frazeologjike. Ajo është ndarë në episode të veçanta, brenda së cilave sillen situata ekzistenciale sa individuale aq dhe kolektive të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo bëhet hapësirë betejash, sfidash individuale, qëndresash familjare e reagimesh kolektive, deri tek momenti kur Familja Jashari bënë aktin më sublim në historinë e sakrificave të Kosovës: nga gjyshi te mbesa e nipi!

Poema është konceptuar si një dramë, e cila ka aktet dhe pamjet e sistemuara me kujdes, hyrjen, zhvillimin e ngjarjeve mbështetur në pamje të njëpasnjëshme por të ndërlidhura, majën e konfliktit, zgjidhjen dhe përfundimin që kulmon me tragjedinë familjare të Jasharajve. Poema përcjell edhe mesazhin e çlirimit e të bashkimit kombëtar, ndërsa si epilog i të gjitha zhvillimeve historike, sakrificën e Familjes Jashari.

Edhe shkrimtari emigrant Ajet Shala, është njëri prej krijuesve të brezit të ri, i cili ka shkruar disa poezi dhe tekste këngësh për Adem Jasharin, Familjen e tij, vendlindjen e tij – Prekazin, dhe krahinën etnografike Drenicën. Nëse në disa nga ato, si: Në Prekaz flasin kullat!, Kam Drenicën gur kështjelle, 17 shkurt 2008 (Kushtuar Pavarësisë së Kosovës), Këngë (Adem Jasharit) dhe Këngë (Hamzë Jasharit), ka ndërthurë kryesisht vargje rimash e përshkrime situatash sa tragjike aq edhe dramatike, në disa poezi të tjera, si: Zëri i poetit dhe Besa-besë Adem Jashari (akrostik) ka sjellë mjaft lirikë, ritëm të brendshëm dhe një lloj “përmbajtje autoriale”, të cilat i kanë munguar poezisë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij:

E di, edhe kulla ime mund të ishte djegur,

Si e Bacë Ademit,

Cep më cep mund të digjej muri,

Dhe guri i fundit i oxhakut,

Po s’do ma vriste kurrë fjalën,

Mes burrash në një log kuvendi,

E mençurisë në Qiellin e Shtatë,

Do ia vija bajrakun.

Të kësaj natyre janë edhe vargjet e poetit Namik Selmani. Ai, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij, bën përpjekje për ta funksionalizuar semantikisht komunikimin me heroin e tij:

Tek SYTË e tu,

Fluturoj në të gjithë qiejt e shpirtit.

Një lirikë me përmasa të një teksti popullor, me përmbajtje që të kujtojnë poezitë përkushtuese për shumë personalitete heronjsh e krijuesish të panteonit kombëtar, sjell poeti nga Vlora Murteza Mara. Poezia e tij, si edhe ajo e shkrimtares emigrante në Amerikë Julia Gjika, mund të quhen përmbajtje djenjore e shpirtërore e të gjithë atyre që vizitojnë varrezat ku janë vendosur anëtarët e vrarë të Familjes Jashari:

Një lis është pak, një mal po ashtu,

Një pyll i tërë sërish është pak,

Ikin kohët, ti do të mbetesh këtu,

Mbi krahët e lirisë dielluar me gjak.

(…)

Përulja është pak, nderimi është pak,

Për Ju o pishtarët e vërtetë të Arbërisë,

Jasharët do mbeten simbol në bajrak,

Piskamë kushtrimi në krahët e lirisë.

Karakteristikë e të gjitha poezive kushtuar Adem Jasharit është artikulimi për të identifikuar heroin me Familjen dhe sidomos me Drenicën, e për më tej me historinë e saj. Poetët: Flori Bruqi, Mevlyde Mezini Saraçi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Riza Sheqiri etj., në poezitë e tyre shpalosin historinë e popullit shqiptar, ashtu si historitë e popujve të tjerë të Ballkanit, sa tragjike dhe krenare njëkohësisht, më shumë se sa dramën e brendshme shpirtërore e emocionale, në situata dhe momente prej më të veçantave historike, të Adem Jasharit dhe të Familjes së tij. Shohin përmasën e shumëfishtë të reflektimit të dyanshëm të historisë së Drenicës në krenarinë dhe tragjiken e tyre familjare. Akti sublim i kësaj drame të madhe nuk është tjetër veç se një përmasë gjigante e kulmit të historisë së vuajtjeve shekullore të kësaj krahine dhe popullit shqiptar, flijim të cilën Adem Jashari e konsideronte si kusht të domosdoshëm për të filluar një lëvizje të re.

Në poezinë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, jashtë së cilës kur e kur nuk mbeten as bashkëkohësit e tij, për të mos thënë as Drenica dhe historia e saj, janë karakteristike rindërtimet, përkatësisht mbindërtimet tematike, që nuk janë vetëm rezultat i ndikimit të poezisë bashkëkohore të poetëve më të shquar, si: Dritëro Agollit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut etj., si dhe poetëve të letërsisë botërore, si: Viktor Hygos, Janis Ricosit, Bertol Brehtit, po edhe rindërtimet mbi poezinë popullore. Një poezi, përkatësisht poemth tipik, është përkushtimi i shkrimtarit Ali R. Berisha, Kushtuar Adem Jasharit, në të cilën rindërtohet imazhi i vjetër shqiptar i vajtimit të motrës së Gjergj Elez Alisë, të cilin ai e quan “Varg nga epopeja vajtimore e shekullit të ri”. Një rindërtim të kësaj natyre, për mitin e pavdekësisë së Komandantit Adem Jashari, kanë për motiv edhe krijuesit: Shefki Ollomoni, Rrustem Geci, Arif Molliqi e Halil Xani, qoftë duke rikthyer pasazhe të caktuara mitike a historike, qoftë duke përshtatur a bartur motive tragjike e etnografike nga njëra periudhë në tjetrën, sikur në këto vargje të poetit Shefki Ollomoni:

Në Konakun e Jasharajve,

Shuaj trarin e kulmit që digjet.

Duke ruajtur temën e madhe të flijimit individual dhe familjar të Jasharajve, poezia shqipe si edhe gjinitë e llojet e tjera letrare e estetike, do të ruajnë sintezën e madhe të rënies biblike të Jasharajve, por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët dhe përgjithësisht krijuesit e arteve, të mos sjellin edhe tema dhe motive që lindin e rilindin në pasjetën e Jasharajve. Ne besojmë se përvjetorët e tyre, sidomos Nata e zjarreve do të bëhen drama e madhe kombëtare e kësaj historie krenare, prej së cilës do të vazhdojnë të motivohen për vepra dhe realizime brilante poetë, prozatorë e dramaturgë. Një shembull mjaft i mirë i kësaj natyre është poezia e Etlevë Durmishit, brenda së cilës janë realizuar mjaft vargje tashmë të njohura në letrat shqipe, por të reja për nga motivi:

Mos kërko nga hëna dritën

Zjarri natën do ta ndriçojë

(…)

Mos kërko zjarrin ta shuajnë

Zemrën flakë përbrenda e kanë

(…)

Mos kërko as vetëtimë

Vetëtimë zemrën e kanë

Mos kërko zemërgjerësinë

Zemërgjerë si të parët janë

(…)

Mos kërko burrërinë

Trima e burra si Skënderbeu janë

Mos kërko as dashurinë

Dashurojnë si të parët Adami e Eva

Po e mbyllë vlerësimin e këtij bleni poetik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij me një poezi të shkrimtarit, përkthyesit e pilotit nga Shkodra, Riza Lahu, jo edhe rastësisht! Shkrimtarit Riza Lahu, që duke qenë një nga përkthyesit e përkushtuar të dekadave të fundit ka njohur më mirë se shumë shkrimtarë të sotëm tragjedinë e përbotshme dhe lirikën universale, poezinë e tij e ka strukturuar mbi modelin e poezisë epike dhe historike. Duke rikonstruktuar betejën e madhe të Jasharajve, ai njëkohësisht rindërton të gjitha betejat më të njohura të luftëtarëve më të shquar në historinë kombëtare: Ali Pashajt, Azem Galicës, Çerçiz Topullit etj.

(…)

Dem Jashari mjekrosh

Sokëllin majë më majë,

“Rrnoftë Kosova” edhe shtie

si të qe gjallë Ali Pashaj.

 (…)

Mjekroshi Dem Jashari

Mbi shpinë malet e Drenicës

Kokën të Ali Pashait

Zemrën të Azem Galicës…

 (…)

Dyzet orë flakë qet kalaja.

Flakë qet e këngë këndon:

“Prite, bre Shaban Jasharin”

“Çerçiz Topulli më thonë…”

Karakteristikë e gjithë poezisë së tij del insistimi i poetit për të identifikuar tipare të jashtme dhe karaktere të brendshme të Adem Jasharit, duke e parë betejën e tij si një vazhdim të betejave më të njohura të historisë kombëtare. Ajo fillon si një këngë legjendare, ku sipas ligjësive bisedore të fenomenit fonetik të aferezës përgjithësisht në gegërishte: Adem(i) Jashari bëhet Dem Jashari dhe përfundon me diskursin e këngëve labe “Çerçiz Topulli më thonë…”.

Përfundime

Parë në tërësinë e saj, në poezinë shqipe sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij zënë një vend të nderuar dhe parësor në kontekstin e simboleve të krijuara, por në letërsinë shqipe ende nuk e kemi poezinë përfaqësuese, pa të cilën nuk do të mund të përgatitej Antologjia e poezisë së sotme shqipe. Krijimet e gjertanishme ende nuk i kanë tejkaluar këngët e kompozuara kushtuar Adem Jasharit, si ajo e Ilir Shaqirit, me tekst të Adem Gashit, Serish vjen marsi, apo ndonjë tjetër si kjo, as në kontekst të horizontit të pritjes as në kontekst të shprehësive stilististike, vlerave artistike dhe estetike njëkohësisht. Janë këngët epike dhe lirike për Adem Jasharin ato që këndoheshin nga ushtarët e UÇK-së ashtu siç këndoheshin Epet Oseanike nga ushtarët e Napoleonit në fushë të betejave. Kishim menduar se trajtat ligjërimore të letërsisë shqipe nga eposi dhe këngët mesjetare për Skënderbeun janë tejkaluar me poemat për Skënderbeun nga Naim Frashëri e Jeronim De Rada, por sot mund të themi se këngët për Adem Jasharin dhe sidomos kryekënga e këngëve Serish vjen marsi, mbetet kulmi i krijimeve për Adem Jasharin dhe kujtesën për bëmat e tij.

Koha jonë ndërkaq kërkon jo kryekëngën po kryeveprën letrare dhe artistike për gjithë jetën dhe vdekjen e madhe të tij, pranë etërve dhe pasardhësve të tij, një vdekje biblike, një vdekje shumëdimensionale, fisnike, një vdekje tragjike si në këngë, por që ishte dhe mbeti drama e madhe e kombit tonë: drama të cilën shkrimtarët e shekullit XXI e kanë obligim ta bëjnë realitet artistik dhe estetik.

Le të thuhet ndërkaq se kjo vepër e kërkuar dhe e kurorëzuar me përmasat artistike e estetike që e kanë periudhat e tjera historike dhe letrare, letërsisë sonë i mungon. I mungon madje në të gjitha përmasat e saj letrare, krahasuar me Mesjetën, Rilindjen Kombëtare dhe i mungon madje edhe në përmasa të letërsisë për Luftën e Dytë Botërore, të njohur si letërsi e Luftës Nacional Çlirimtare!

Shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët shqiptarë, ende nuk e kanë ofruar një vepër monumentale për luftën e fundit në Kosovë, sado përmasat tragjike të saj mbeten vetëm prapa përmasës tragjike të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar gjatë Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët, ende nuk e kanë ofruar një vepër përfaqësuese të kësaj epoke, sado heroi tragjik dhe artistik i letërsisë së deridjeshme Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Çerçiz Topulli, Mujo Ulqinaku, Fahri Fazliu e Afrim Zhitija, në kohën tonë ka përmasa më të gjera dhe më universale: tani më nuk është vetëm individi (hero) po e gjithë Familja (e heroizuar), një shembull tipik i munguar edhe ndër popuj të tjerë.

A do të arrijnë shkrimtarët e kohës sonë që këtë përmasë biblike të heroizmit të Adem Jasharit dhe flijimit të Familjes së tij, t’ia dhurojnë Evropës, në ato përmasa që Skënderbeun dhe bëmat e tij ia ka dhuruar Marin Barleti, Jeronim De Rada, Fan Noli, Ismail Kadare e shkrimtarë të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli ka reaguar…