Importet e naftës dhe cigareve u rriten në vitin 2019

06 mars 2020 | 11:08

Importet e karburanteve dhe cigareve u rriten përkatësisht me 3,7% dhe 4.2% gjatë vitit 2019. Në vitin 2019 importet e naftës shënuar 520 mijë tonë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 1990.

Në raport me vitin 2018 importet e gazoilëve u rriten me 18 mijë tonë ose 3.7 për qind. Importet e naftës kanë shënuar luhatje vitet e fundit, duke ndjekur ciklin e prodhimit të ARMO-s. Kur rafineria e vendit vihet në punë, importet e naftës bien e kundërta ndodh ku ARMO nuk punon.

Përgjatë vitit 2019 ARMO ka punuar pothuajse rregullisht deri në shtator. Në vitin 2017 kur ARMO punoi gjatë gjithë vitit me kapacitete të plote, importet e naftës u ulën me 21 për qind. Ministria e Energjetikes ka përllogaritur më parë se kapacitetet e rafinerisë vendase janë për të plotësuar rreth 25 për qind të nevojave të tregut të brendshëm.

Nga viti 2000 deri në 2019 importet e naftës janë rritur me shumë se dyfishi për shkak të rritjes së automjeteve në qarkullim.

Edhe pse rafineria e ARMO-s nuk e ka kartën teknologjike për të prodhuar naftë të parametrave ligjore D1, shifrat mbi importin tregojnë se nafta e përpunuar në vende tregtohet lirshëm në tregun vendas.

Duke nisur nga 1 janari 2010, është ndaluar përdorimi për automjete i naftës D2 në tregun shqiptar, për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10 mg/ kg.

Kontrollet e inspektoratit Qendror të naftës tregojnë se përgjatë viteve të fundit qindra pika karburanti në të gjithë vendin kanë tregtuar naftë me parametra të palejueshëm ku normat e squfurit kanë qenë shumë herë më të larta se ato të lejuarat.

Gjatë vitit të kaluar rritje shënoi edhe importi i cigareve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë 2019 u importuan gjithsej 2978 tonë cigare me një rritje 4.2 % në raport me vitin 2018. Burime nga tregu pohojnë se, rritja erdhi për shkak të importeve më te larta në muajt e fundit të vitit.

Ministria e Financave vendosi të aktivizojë kalendarin për rritjen e akcizës së cigares për të gjitha kategoritë. Grosistet rriten importet në tre muajt e fundit të vitit për të krijuar rezerva të produkteve me akcizë të ulët, manovër kjo e përdorur gjithmonë kur ka rritje të akcizës.

Gjithsesi importet e cigareve më 2019 ishin më të ulta se ato të vitit 2017. Taksat nga importi i naftës dhe cigares janë burimi kryesor i të ardhurave doganore./monitor.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akademik prof. dr. Hakif Bajrami ADEM JASHARIT-LEGJENDARIT (Me krenari, 9…