Në Ministrinë e Mbrojtjes u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas

06 mars 2020 | 13:58

Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, nën organizimin e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore të Ministrisë së Mbrojtjes të premten është mbajtur një ceremoni festive me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në sallën e mbushur plot me gra dhe vajza që shërbejnë si zyrtare dhe ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, kanë marrë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, Faruk Geci.

Hapjen e këtij takimi e ka bërë shefja e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore, Halime Morina, e cila në fjalimin e saj ka rikujtuar normat, parimet dhe vlerat fondamentale që përkojnë me këtë festë si dhe promovimin e tyre në shoqërinë, institucionet dhe vet Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa ministri Anton Quni, ka shprehur vlerësimin e lartë për rolin e pazëvendësueshëm të nënës, gruas, motrës e bijës në të gjitha periudhat historike.

“Në ditët e sotme, gruaja kryeparlamentare, gjenerale e FSK-së, si ju zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, dëshmon fuqishëm se ju jeni shumë të suksesshme si në përgjegjësitë familjare ashtu edhe në ato institucionale e shtetërore”, ka thënë Quni.

Në anën tjetër komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka uruar dhe ka shprehur mirënjohjen e thellë për angazhimin e dhënë, punën me përkushtim vetëmohues dhe shërbimin e shquar të të gjitha grave dhe vajzave, ushtarake e nëpunëse civile në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, në funksion të ndërtimit, zhvillimit dhe të arriturave të deritashme të FSK-së, në përmbushjen e misionit të saj në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të vendit.

Në mbyllje të këtij aktiviteti, Quni, Rama dhe Geci u kanë dhuruar lule grave dhe vajzave pjesëmarrëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sot e ka autorizuar Ministrin…