Presidenti Meta: Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më të lehta
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me anë të një reagimi në llogarinë e vet në “Facebook” u ka uruar të gjithë vajzave dhe grave 8 Marsin.
Ai në reagimin e tij, ka theksuar se fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta. “Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave”, ka shkruar Meta.
Postimi i plotë i Metës:
Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN! Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t’ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e ven dit.
Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.
Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika.
Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes. Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Një falënderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars PRANVERËS KUQEZI, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit. Bekuar qofshin vajzat e gratë shqiptare kudo në botë!.