Presidenti nuk e ftoi në takim, reagon kryetarja e Alternativës

09 mars 2020 | 16:39

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila nuk është ftuar në takim nga presidenti Hashim Thaçi, i cili të hënën ka takuar të gjithë liderët e partive politike, me përjashtim të kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti.

Me këtë rast, Kusari-Lila ka reaguar në llogarinë e vet në “Facebook”, duke thënë se presidenti Thaçi nuk e konsideron të denjë një grua kryetare të partisë dhe ish-zëvendëskryeministre.

“Sot e kuptova se presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua kryetare të partisë Alternativa, ish-zëvendëskryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët. Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të ‘mbuluar me letra’, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë”.

“Ashtu sikur edhe shumë raste tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizinë e retorikës për gjithëpërfshirje të grave në jetën politike nga presidenti i vendit. Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë. Ky postim nuk e paragjykon pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen time në ftesën eventuale. Ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të Presidentit për trajtimin e gruas në politikën kosovare”, ka shkruar Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe Liga e Kampionëve nuk mund t’i shpëtonte alarmit të…