Qeveria miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2020

10 mars 2020 | 13:47

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e zhvilluar të martën ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020.

Projektligji parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionësh, që shënon një rritje prej 7 përqindësh në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove.

Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind, ndërsa inflacioni prej 1.3 përqindësh, kurse deficiti buxhetor paraqet 2 për qind të bruto produktit nacional.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka vlerësuar se ky buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit.

Dy vendime të miratuara nga kabineti qeveritar në këtë mbledhje adresojnë dinamizmin e realizimit të projektit të ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë. Vendimi i parë ka anuluar dhe plotësuar vendimin e qeverisë të datës 11 dhjetor të viti 2013, ndërsa vendimi tjetër ka miratuar shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimeve të pronave publike nga ndërtimi i kësaj rruge në segmentin Gojbulë – Smrekovnicë.

Qeveria e Kosovës ka rithemeluar Komitetin Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike “Energjia nga linjiti”. Anëtarë të këtij komiteti me të drejtë vote janë emëruar: Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kryesuese; Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, anëtar; Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, anëtar; Emilija Rexhepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar, dhe Ivan Milojeviq, ministër i Zhvillimit Rajonal, anëtar.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e kabinetit qeveritar janë emëruar edhe anëtarët vëzhgues të Komitetit Drejtues nga Zyra e Rregullatorit për Energji, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Komiteti Drejtues do të marrë vendime në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për çështje që kanë të bëjnë me projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që t’i pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e aseteve për qiradhënie me karakter specifik e të azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020.

Vendimi është marrë në përputhje me Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe duke marrë parasysh Programin e Qeverisë 2020-2023, që parasheh politika për administrimin afatgjatë të pronës publike dhe shoqërore.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Republikën e Kosovës ende nuk ka zyrtarisht persona të…