Bahtiri kërkon nga Rakiqi të mos pengojë punimet pranë lumit Ibër

13 mars 2020 | 15:53

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga kryetari i Komunës të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që mos të pengojë kryerjen e punimeve në rregullimin e hapësirave pranë lumit Ibër, pasi sipas Bahtirit, ky është projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe i përkrahur nga Bashkimi Evropian.

“Rakiq nuk mund të kërcënoj me inspektorë dhe polici, sepse kjo është tokë e Kosovës dhe ai nuk mund të sillet si kryetar i një komune të Serbisë, pasi që është kryetar i një komune të Republikës së Kosovës. Pra, ai duhet të heq dorë nga pengimi i punëve, sepse nuk e kemi ndërmend t’i ndalim punimet”, ka shkruar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Po ashtu kërkoj nga Rakiqi që mos ta keqinformoj bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me procesin e rregullimit të lumit Ibër, pasi që unë jam në kontakt direkt me gjithë faktorin relevant vendor e ndërkombëtar dhe nuk do të lejoj kurrfarë dezinformimi”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka theksuar se Ministria e Mjedisit duhet t’i dërgojë inspektorët e tyre në mbikëqyrje të punimeve dhe lehtësim të punëve, pasi që toka ku po realizohet projekti është e tyre dhe financimi i projektit bëhet nga ta.

“Njëkohësisht i kërkoj ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të ndërmerr veprime ligjore që policia të mos i pengoj punimet me urdhra politik që vijnë nga Beogradi. Po ashtu, kërkoj nga Kryeministri i Qeverisë së Kosovës që të ndërmerr hapat e nevojshëm institucionet për të mundësuar zhvillim normal të punimeve”, ka shkruar Bahtiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka pritur në takim…