Në Mitrovicë shënohet 21-vjetori i masakrës së tregut

13 mars 2020 | 16:00

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë të martirëve dhe qytetarë që atë ditë kishin marrë plagë të ndryshme, janë mbledhur pranë obeliskut i cili është vendosur në vendin ku kishte ndodhur ngjarja e 21 viteve më parë, për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Me këtë rast, nënkryetari Mujka, ka përkujtuar 13 marsin e vitit 1999, të cilën e ka cilësuar si një ditë të tmerrshme, ku kishin humbur jetën dhe ishin lënduar qytetarë të pafajshëm të qytetit të Mitrovicës.

“Jemi mbledhur sot këtu, pranë këtij obelisku për ti përkujtuar viktimat e masakrës së tregut, e cila ka ndodhur me 13 mars të vitit 1999, ku humbën jetën 6 bashkëqytetarë tanë dhe janë plagosur 128 të tjerë, dhe në këto momente ndihemi të pikëlluar për humbjen e tyre, por në të njëjtën kohë ne duhet të ndihemi krenarë, sepse falë gjakut të tyre ne sot e gëzojmë lirinë, duke e ndërtuar shtetin dhe institucionet, andaj ne përulemi dhe jemi falënderues përherë për sakrificën e tyre”, ka thënë Mujka.

Në vendin e ngjarjes, ku 21 vite më parë kishte ndodhur atentati të mbijetuarit të cilët kishin pësuar lëndime të rënda, duke u dëmtuar këmbët, duart e pjesët tjera të trupit, kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi që jeta e tyre është mjaft e rëndë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari të premten ka…