BQK-ja jep sqarime shtesë rreth pezullimit të kredive

17 mars 2020 | 14:20

Një prej vendimeve që ka marrë BQK-ja, është edhe shtyrja-pezullimi i afatit për pagesat e kësteve të kredive si shkak i situatës së koronavirusit.

“BQK-ja së bashku me SHBK-në kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmojë klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar”, thuhej në njoftimin e BQK-së.

Mirëpo, mosqartësimi nga ana e BQK-së u shfaq tek “pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmojë klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar”.

E sipas zëdhënësit të Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, aplikimi për pezullim të kredive mund të bëhet në forma të ndryshme. “Aplikimi duhet të bëhet online apo përmes telefonit duke kontaktuar me bankën e tyre. Bankat kaneë një numër të gjerë të opsioneve për t’i kontaktuar, që nga emaili, kontakti në aplikacione të ndryshme si viber, kontakti përmes telefonit, kontakti nga platformat e-banking, etj. Bankat kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me kërkesat, si dhe do të shfrytëzojnë tërë kapacitetet e tyre maksimalisht, përfshirë edhe resurset tjera të liruara si rezultat i gjendjes së krijuar”, ka thënë Ahmeti për gazetën “Epoka e re”.

I pyetur se sa është shuma totale që klientët u kanë borxh kredi bankave?, Ahmeti ka thënë se totali i portofolit kreditor në fund të vitit 2019 ishte 3.03 miliardë euro.

/Epoka e re/ Albulena MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora ka pak ditë që ka publikuar projektin e…