Presidenti i kërkon Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë

17 mars 2020 | 22:48

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vendosur për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, pas gjendjes së krijuar me përhapjen e koronavirusit.

“Në këtë kohë, në rrethana të pa përjetuara në Kosovë dhe rajon, Kosova nuk është vend i izoluar, është e përfshirë nga koronavirusi që paraqet shqetësim për gjithë botën, gjithë njerëzimin, paraqet shqetësim edhe për Kosovën pas paraqitjes së rasteve të fundit. Sonte jemi të detyruar të deklarojmë dhe propozojmë duke respektuar kushtetutën do t’i propozojë Kuvendit dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë e përfshinë mobilizimin e FSK-së në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Duhet të angazhohemi të gjithë me të gjithë potencialet që i kemi. Duke respektuar edhe Kushtetutën, edhe Ligjet, edhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, sonte thirra për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I jam drejtuar kryeministrit Kurtit që ta thërret në bazë të kompetencave. U takuam, biseduam, ishte një bisedë shumë korrekte, e përgjegjshme, konstruktive dhe e nevojës për tejkalimin e kësaj situate, por edhe për ndërmarrjen e rasteve që të mos kemi më raste të tilla. Pas konsultave me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj të potencoj, që të mos eskalojë situata më tutje, që të tejkalohet kjo gjendje jo e lehtë, por e rëndë, kërkohet nga të gjitha institucionet, të jemi në krye të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, prandaj atë që e theksoj sonte, nuk e kam menduar se do të mund të vijë ky moment që të deklaroj se sonte jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka falënderuar mjekët, policinë, ushtarët e FSK-së dhe të gjithë ata që po përballen me parandalimin e koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër i organizatash të shoqërisë civile kërkojnë që bankat…