Veriu shpërfill masat e Kosovës, përfill orën policore të Vuçiqit

19 mars 2020 | 11:10

Komunat veriore të Kosovës nuk i kanë përfillur masat e shtetit të Kosovës. Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku sërish iu bindën urdhrave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Indeksonline.

Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19). Kjo nënkupton se personat e moshuar nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë, ndërsa në ditët e ardhshme organet kompetente do të kontrollojnë nëse qytetarët u përmbahen masave qeveritare. Vuçiq u bëri thirrje të rinjve të mos i vizitojnë të moshuarit e as të mos i dërgojnë fëmijët e tyre për vizitë te gjyshërit.

Komunat e veriut në Kosovë kanë vendosur t’i zbatojnë këto urdhra. Të ashtuquajturat Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos dalë nga shtëpitë prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

“Pasi që Serbia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa nga sot edhe orën policore, Organi i Përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, respektivisht Shtabi i Krizës për situatë të jashtëzakonshme ka marrë vendim me të cilin ndalohet lëvizja në periudhën prej orës 20:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, derisa për pensionistët dhe persona më të vjetër se 65 vjeç vlen ndalimi i plotë i daljes nga shtëpitë. Ushqimin dhe barnat do t’i sjellin vullnetarët dhe të afërmit, të cilët mund të thërrasin në telefonat përkatës prej orës 8:00 deri në ora 18:00. Ndalimi i lëvizjes nga ora 20:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit vlen edhe për të gjithë taksitë dhe transportuesit privat, derisa të gjitha objektet ushqimore me pakicë kohën e punës do ta përshtatin prej orës 6:00 deri në ora 19:30. Qytetarëve u rekomandohet që t’u përmbahen këshillave të mjekëve, që t’i mbajnë maskat dhe dorëza nëpër shitore dhe barnatore dhe gjatë takimeve me njerëz të mbajnë distancë prej 2 metra”, thuhet në njoftimin e komunës veriore të Mitrovicës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një mase e re ekstreme është marrë si rrjedhojë e…