COVID-19, a mund të infektohemi nga paratë?

20 mars 2020 | 13:13

Në një kohë kur globi është kapluar nga frika e koronavirusit, njerëzit me të drejtë kërkojnë të dinë nëse kartëmonedhat dhe monedhat janë transmetuese të rrezikshme të armikut vdekjeprurës. E thënë ndryshe, a përbëjnë paratë e thata burim infeksioni?

Paraja nuk paraqet ndonjë rrezik të veçantë/specifik ndaj publikut, sa i takon virusit

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të “Bundesbank”, Johannes Beermann, ka thënë se rreziku i marrjes së koronavirusit përmes parave të thata është jashtëzakonisht minimal.

Në një konferencë për medie në “Bundesbank”, Beermanni ka vënë në dukje se “probabiliteti për t’u sëmurë nga paratë është më i vogël sesa nga shumë objekte të tjera të përdorura në jetën e përditshme”.

Ai ka thënë se veçanërisht kartëmonedhat në euro janë krijuar të tilla që ndotja përmes përdorimit të përditshëm të jetë minimale. Për më tepër, kartëmonedhat 5 dhe 10 euro,  të cilat janë më të përdorurat dhe qarkullojnë dorë më dorë, gjithashtu kanë një shtresë mbrojtëse kundër ndotjes.

“Në 35 degët e saj, ‘Bundesbank’ çdo vit përpunon mbi 14 miliardë kartëmonedha, heq kartëmonedhat e ndotura dhe i zëvendëson ato”, ka thënë Beermanni.

Nuk ka rrezik që të transmetohet virusi përmes kartëmonedhave

René Gottschalk, infektiolog dhe drejtues i Zyrës së Shëndetit në Frankfurt am Main, nuk ka konsideruar se ka ndonjë rrezik të transmetimit të koronavirusit përmes kartëmonedhave.

“Në parim, është plotësisht e parëndësishme se sa kohë patogjenët mund të mbijetojnë në sipërfaqe. Ajo që është vendimtare është nëse përbën një kanal infeksioni”, ka shpjeguar Gottschalki në konferencën për medie.

Ai ka thënë se nuk ka parë ssnjë kanal të tillë infeksioni si ekzistues te kartëmonedhat.

Po kështu, Shoqata Ndërkombëtare e Valutave (ICA) është shprehur se nuk ka dëshmi se kartëmonedhat janë më të ndotura se çdo sipërfaqe tjetër dhe mendimi mbizotërues midis ekspertëve mjekësorë është se virusi nuk po transmetohet nga kartëmonedhat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ndër aktoret kryesore të serialit “La Casa De Pape”…