Abazi, LDK-së: Do ta përjetosh thikën pas shpinës

21 mars 2020 | 10:53

Anëtarët dhe zyrtarët e LV-së kanë rikthyer fushatën kundër atij që dikur e thërrisnin profesor Isa Mustafa. I fundit është Haki Abazi, i cili ka bërë një analizë të gjatë për partinë e Isa Mustafës, duke e akuzuar për lidhje me PDK-në e të cilën e ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”. Zëvendëskryeministri e ka lartësuar shefin e tij të dyfishtë. Ka thënë se dikush po dëshiron ta ndalë hovin e suksesshëm të Kurtit.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi kishte qenë një prej zyrtarëve të LV-së që kishte përdor një gjuhë të kujdesshme ndaj LDK-së në kohën kur bllokohej ndërtimi i koalicionit. Por, tash, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te rrëzimi i qeverisë si pasojë e mocionit të LDK-së, është rikthyer me kritika ish-anëtari i shoqërisë civile i cili u anëtarësua në LV pasi u largua nga aty Shpend Ahmeti me ekipin e tij.

Një ditë pas mocionit të LDK-së në Kuvend, Abazi ka thënë se partia e Isa Mustafës do të pësojë nga Hashim Thaçi. “Nëse LDK-ja e rrëzon qeverinë, gjendja e jashtëzakonshme shpallet brenda një kohe të shkurtër dhe Thaçi qëron hesape. Sigurisht se LDK-ja do ta përjetojë thikën pas shpine ashtu si edhe në të kaluarën. Kosova do të tronditej”, ka shkruar Abazi.

Ai ka thënë se Partia e Isa Mustafës ka bërë presion të mos hiqet as taksa për shkak të pazareve LDK-Thaçi.

“Nga LDK-ja dje është bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës dhe kjo dëshmon që nuk është tarifa, por ‘borxhi’ ndaj Thaçit dhe PDK-së. Veliu dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme janë anët e medaljes së njëjtë. Nuk do të ishte korrekte nëse do ta bëja publike një gjë të tillë sikur LDK-së të ishte korrekte e parimore, sikur të ishte situatë normale, por votuesi i LDK-së dhe çdo qytetar duhet të kuptojë që taksa është justifikim dhe mburojë dhe asgjë tjetër. Qëllimi i vërtet është për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e një sistemi që ka gllabëruar funksionimin e shtetit. Qëllimi është që hovi i suksesshëm i qeverisë Kurti dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit të ndalet. Kjo nuk është e gjithë LDK, por disa individë dhe masha e tyre që kanë marrë peng vendin e tanimë kjo po del hapur në shesh”, ka shtuar ai.

Akuzat e zyrtarëve të LV-së për LDK-në kanë nisur prej se Isa Mustafa njoftoi se do ta rrëzojë Albin Kurtin, i cili shkarkoi nënkryetarin e LDK-së nga pozita e ministrit për shkak se i njëjti doli dhe e përkrahu publikisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bora Zemani ka zgjedhur të publikojë disa foto në llogarinë…