Lleshaj: Nuk është kohë relaksi e shëtitjesh, nesër dilni vetëm për nevojat më jetike!

22 mars 2020 | 15:53

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka kryer inspektime mbi zbatimin e masave për karantinën në të gjithë Shqipërinë për shkak të COVID-19.

Gjatë inspektimeve, Lleshaj ka qenë i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Falënderoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të qëndruar në shtëpi. Kemi ardhur sot për të inspektuar masat e marra të zbatimit të vendimeve të qeverisë për karantinën masive që po aplikohet në gjithë vendin. Konstatojmë me trishtim dhe kënaqësi që jemi të detyruar të kemi rrugë të zbrazura, të kemi një situatë që as nuk e kemi imagjinuar që do ta kishim në jetën tonë, por as që do të donim të ishte, por për fat të keq kështu duhet të jetë. Me këtë rast gjej mundësinë të falënderoj të gjithë forcat e policisë, të ushtrisë, të policisë bashkiake dhe të agjencive të tjera, të cilat janë angazhuar për të realizuar këtë karantinë masive”, kas thënë Lleshaj.

Më tutje, ai ka thënë se nuk është kohë relaksi e shëtitjesh, nesër dilni vetëm për nevojat më jetike!

“Të mos harrojmë që gjithë këta djem e vajza, punonjës të policisë, të ushtrisë apo të njësive të tjera, kanë edhe këta detyrime familjare, kanë familjarë, kanë fëmijë për t’u përkujdesur dhe për këtë arsye ndihem i angazhuar për të marrë të gjithë masat në mbështetje të tyre. Jam i bindur dhe i qartë që qeveria do të vazhdojë të mbështesë me prioritet punën e të gjithë këtyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, të cilët mundësojnë që në këto ditë shumë të trishta për vendin të kryejnë një shërbim që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Është e rëndësishme të theksoj që nesër për qytetarët do të vazhdojë regjimi nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00. Dua t’u bëj thirrje dhe lutje të gjithëve që të kujdesen që këtë orar ta konsiderojnë si një orar, i cili është vetëm për të dalë dhe për të plotësuar nevoja jetike, kryesisht nevoja për ushqim dhe barna mjekësore. Jo për gjë tjetër, nuk është kohë shëtitje nuk është kohë relaksi. Nuk është kohë takimesh me miq e me shokë. Por është kohë vetëm për të vajtur shpejt në dyqanin më të afërt, për të kryer nevojat më jetike për nesër, jo për të gjithë javën dhe për t’u kthyer në shtëpi me qëllim që të parandalojmë me çdo kusht grumbullimet”, është shprehur Lleshaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në festën e Sulltan Novruzit, kryegjyshi Edmond Brahimaj, ka përcjellë…