Ahmeti rrëfen për masat që ka marrë Komuna e Prishtinës

25 mars 2020 | 09:09

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se gjendja e të infektuarve me koronavirus e tre personave që vijnë nga Prishtina është stabile, duke shtuar se dy prej tyre nuk kanë as simptoma. Ai ka thënë se janë dy raste në Tauk Bashqe e që janë vetizoluar në shtëpi dhe nuk kanë dalë. Sipas tij, edhe familjarët e tjerë po rrinë në shtëpi dhe i ka vizituar policia disa herë dhe kanë komunikuar në telefon.

Ahmeti në “Zyrën e Ankesave” të RTV Dukagjinit tha se nuk ka ndonjë nevojë që kjo lagje të hyjë në karantinë sepse në këtë fazë qëndrojnë shumë mirë dhe nuk kanë simptoma, prandaj edhe nuk ka nevojë as për hospitalizim e as për karantinë.

Kërkesa e kryetarit të Prishtinës është që informatat nga Instituti Kombëtar i Shëndetet Publik të dërgohen më shpejt në komuna. Ai tha se kjo nuk është kritikë për ta, por se kërkon bashkëpunim, sepse duhet të njoftohen me kohë në mënyrë që të mund t’u dalin në ndihmë.

“Na nevojitet informata më e shpejtë që të mund t’ju ndihmojmë. Realizimi i informatave nuk është i mirë, nuk është kritikë, por na duhet bashkëpunim që të intervenojmë më shpejt” ka thënë Ahmeti.

Në lidhje me dezinfektimin e ndërtesave, Ahmeti tha se do të vazhdojnë t’i dezinfektojnë të gjitha ndërtesat në Komunën e Prishtinës dhe hapësirat e tjera.

“Do ta dezinfektojmë çdo hyrje. Kërkojmë mirëkuptim të banorëve. Me ata që kemi kontrata do t’i lajmërojmë, me të tjerët vetëm i lusim për mirëkuptim, nëse i shohin disa persona të veshur me të bardha, vetëm të rrinë brenda, sepse do të dezinfektohen ndërtesat. Qendrat e Mjekësisë Familjare do t’i dezinfektojmë nga 20 herë nëse është e nevojshme, gjithashtu autobusët, i dezinfektojmë ambulancat për çdo ditë. I kemi 15 Qendra të Mjekësisë Familjare. E kemi vendosur një tendë para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare që të mos hyjnë personat që dyshojnë se kanë koronvirus, por fillimisht në tendë t’u matet temperatura dhe të shikohet se si të veprohet tutje”, tha Ahmeti.

Ai, po ashtu, përmendi edhe masat që i kanë marrë për t’i dalë në ndihmë nivelit qendror, nëse është e nevojshme në aspektin e hapësirave për karantim.

“E kemi ndarë një QKF-në nëse ka nevojë për karantinë, gjithashtu i kemi edhe shtëpizat në Gërmi ku janë rreth 50 shtretër. Mund ta lirojmë edhe një tjetër QMF. Kjo është ajo që deri tani kemi ofruar nëse ka nevojë për hospitalizim të shpejtë, kur nuk ka më shumë krevate QKUK-ja”, tha Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur se çfarë…