Mjekja shqiptare në Itali: Shqiptarët dje na bënë shumë krenarë

29 mars 2020 | 11:59

Shqipëria e ka dërguar dje një ekip mjekësor prej 30 personash për ta ndihmuar Italinë, njërën prej shteteve më të prekura nga koronavirusi në Evropë. Ky veprim, si duket, i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Itali. Kjo ndjenjë e krenarisë është shprehur edhe në letrën e doktoreshës shqiptare që vepron në Itali, Kozeta Prokos, dërguar kryeministrit shqiptar Edi Ramës.

Letra e saj:

Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetash, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë. Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, në veçanti ne mjekëve shqiptarë që jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenarë. Këta kolegë me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar… ndihmesën e mikut në ditë të vështira. Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqiptarët kemi treguar virtytet tona më të mira.

Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh. Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem qëndroni në shtëpi. Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërisë ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj. Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri francez Patrick Devedjian ka vdekur nga koronavirusi të dielën…