Shërbimet sekrete amerikane: Kina ka falsifikuar të dhëna për COVID-in

04 prill 2020 | 08:29

Sipas një raporti të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara, të përgatitur për Shtëpinë e Bardhë, thuhet se Pekini e ka ulur numrin e rasteve të të infektuarve dhe të vdekjeve prej koronavirusit.

Agjencia e lajmeve “Bloomberg News” citon tre zyrtarë amerikanë që nuk kanë dashur të identifikohen, të cilët thanë se të dhënat që ka bërë publike Kina lidhur me numrin e infeksioneve dhe të vdekjeve janë qëllimisht jo të plota. Madje, dy nga zyrtarët thanë se shifrat e publikuara nga Kina janë të falsifikuara. Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike asnjë detaj i raportit.

Por, Kina i hodhi menjëherë poshtë përfundimet e raportit të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying, tha se Kina kishte qenë “e hapur dhe transparente” në lidhje me shtrirjen e shpërthimit të virusit dhe e akuzoi Uashingtonin se po përpiqet t’ua “kalojë fajin të tjerëve”.

Ekspertë nga fusha e mjekësisë i janë bashkuar korit të skepticizmit lidhur me numrin e infeksioneve dhe të vdekjeve në Kinë. Kryetari i Shoqatës Botërore Mjekësore me qendër në Francë, dr. Frank Ulrich Montgomery, tha se shifrat e Kinës nuk janë të besueshme. Sipas Montgomery, shifrat e ulëta kineze janë “të pakuptimta” dhe Pekini është duke ofruar shifra të gabuara.

Megjithatë, ai pranoi se edhe vende të tjera punojnë me të dhëna të pasigurta, sepse shpesh nuk kanë në dispozicion të dhëna më të mira, gjë që vjen edhe si rezultat i mungesës së testeve të duhura. Sipas mediave, shërbimet funerale në provincën Hubei kanë porositur javët e fundit mijëra urna. Dhe numri i urnave të dërguara në provincë është shumë herë më i madh nga numri i personave të deklaruar se të vdekur nga shpërthimi i koronavirusit.

Media kineze “Caixin” publikoi fotografi ku shihet se vetëm për Wuhan  janë dërguar deri në 8 500 urna. Por edhe radhët e gjata të të afërmve të të vdekurve që presin përpara shërbimeve funerale kanë nxitur gjithashtu shqetësim, se përmasat e vërteta të shpërthimit të virusit nuk janë bërë publike. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në një shkrim…