Murati: Pohimet për integrimin e veriut pandemia i shndërroi në përralla propagandistike

04 prill 2020 | 15:10

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo kohë pandemie nuk ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti jonë është gati inekzistent.

Murati ka theksuar se pohimet për integrimin e veriut pandemia i shndërroi në përralla propagandistike.

“Në territorin e Kosovës me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. Përrallat e integrimit të veriut, më nuk mund t’i blej askush. Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa kurdo që të dojë ajo ta destabilizojë Kosovën përmes tyre. Të shpresojmë më të mirën për qytetarët e asaj pjesë si për të gjithë qytetarët e botës në këtë betejë kundër Covid-19, por kjo situatë edhe njëherë dëshmon për nevojën urgjente të zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Përndryshe, sipas Muratit, ajo po krijon realitete të reja, dhe atë deri tek ura e Ibrit të cilat do të kenë pasoja afatgjata.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi nuk e ka ndërmend ta lejojë largimin e…