Pamjet e Ekuadorit me kufoma tmerrojnë botën

06 prill 2020 | 11:44

Disa trupa të të vdekurve nga koronavirusi shihen rrugëve të një qyteti në Ekuador pasi autoritetet nuk po mund t’i menaxhojnë si duhet të gjitha rastet e vdekjes së njerëzve nga virusi korona. Së paku 150 trupa të pajetë janë lënë rrugëve ose kanë mbetur në shtëpitë e të afërmve në Guayaquil. Trupat u lanë në skajet e rrugëve, me shpresën se autoritetet do t’i merrnin, por ata po mbesin në rrugë deri në tri ditë për shkak të mungesës së kapaciteteve të autoriteteve.

Banorët madje u detyruan të përdornin arkivole të prodhuara nga kartoni për shkak të mungesës së arkivoleve të zakonshme nga druri.

Deri më tani 172 persona kanë vdekur dhe së paku 3 500 janë infektuar me koronavirus në Ekuador.

Nënpresidenti i Ekuadorit, Otto Sonnenholzner, kërkoi falje pasi disa banorë i publikuan në internet pamjet e trupave të vdekur që ishin lënë rrugëve.

Biznesmeni Santiago Olivares, i cili i ka disa kompani që merren me transportimin dhe varrosjen e kufomave, tha se nuk ka kapacitete për t’i plotësuar të gjitha kërkesat për arkivole.

Qeveria e Ekuadorit e ka shpallur gjendjen emergjente dhe ka vendosur orë policore gjatë natës si pjesë e përpjekjeve për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…