Sekretari i përgjithshëm i PDK-së: Albin Kurti ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandër Vuçiqit

06 prill 2020 | 13:40

Sekretari  i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për përjashtimin e partive politike shqiptare nga mbështetja dhe e ka akuzuar se ka hyrë në lojën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Albin Kurti, me naivitet dhe pa përvojë, me mungesë totale të përgjegjësisë dhe guximit, ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandër Vuçiqit. I goditi liderët shqiptarë, u kërkoi qytetarëve të rrinë të qetë, ndërsa veriun ua la Rakiqit, Gjuriqit, e disa ndërkombëtarëve që për karrierë të tyre të gjitha do t’ia dorëzonin Serbisë”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook:

Postimi i plotë i Ismailit:

Kryeministri Kurti mes shumë gabimesh ka nisur një lojë të re, për ta fituar simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare, raportet me të cilën i ka thellësisht të çara.

Me letrat e një projekti të rrezikshëm në duar, bashkë me disa ndërkombëtarë që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri.

Për të mbetur disi në radarin e tyre, e për të mbijetuar politikisht jashtë, ai po sakrifikon gjithçka brenda.

Ajo që e dëshmon më së shumti këtë skenar është rifaktorizimi i UNMIKU-t si palë ndaj Vuçiqit.

Këtë rrethanë të izolimit nga qendrat kryesore ndërkombëtare të Kurtit, si dhe situatën me pandeminë, Serbia dhe Aleksandër Vuçiq do ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në Kosovë.

Me spotin e tij, si “vëllazërim-bashkim” me Agimin dhe Goranin, Kryeministri tentoi ta largonte vëmendjen nga e vërteta brutale që sot është në veri.

Në fakt, kjo është ajo që e dëshiron shteti serb.

Të merremi sa më pak me veriun, në mënyrë që atje të veprojë sa më lirshëm dhe mundësisht sa më papengueshëm.

E vërteta është se komunat në veri janë vendosur në karantinë dhe qytetarëve atje u është kufizuar lëvizja, për shkak të pandemisë, me urdhër nga Beogradi.

E vërteta tjetër është se kryeministri Kurti, për ta larguar vëmendjen nga ky fakt, vendosi të akuzojë për tradhti.

Një metodë e vjetër kjo e tij, e njohur tashmë nga të gjithë, që sa herë i zihet “bishti me rrotë”, bërtet për “tradhtinë”.

Më e drejtë do të ishte po të tregonte për agresionin që Serbia po e ushtron në veri, e të kërkonte ndihmë nga partitë shqiptare.

Por, jo. Ai lypi ndihmë nga Agim Bahtiri, që ditë më pari tmerroi qytetarët duke folur për vëllavrasje, dhe nga Goran Rakiq i Listës Serbe.

Albin Kurti, me naivitet dhe pa përvojë, me mungesë totale të përgjegjësisë dhe guximit, ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandër Vuçiqit.

I goditi liderët shqiptarë, u kërkoi qytetarëve të rrinë të qetë, ndërsa veriun ua la Rakiqit, Gjuriqit, e disa ndërkombëtarëve që për karrierë të tyre – të gjitha do t’ia dorëzonin Serbisë.

Por, kjo lojë as nuk do ta thyejë izolimin ndërkombëtar të Kurtit, e as nuk do ta mbrojë sovranitetin në veri.

Kjo lojë nuk mund të përfundojë ndryshe pos me humbje.

Për Kurtin dhe për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri britanik Toni Bler thotë se dëmi ekonomik i shkaktuar…