1 736 persona vdiqën dje në ShBA nga virusi korona
Bota po vazhdon luftën me koronavirusin. Numri i rasteve të reja dhe të vdekjeve diku po rritet e diku po bie për çdo ditë. Në ShBA vetëm po rritet.
Gjatë 24 orëve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vdekur 1 736 persona, shifra më e lartë që prej fillimit të koronavirusit në ShBA. Nju-Jorku ka shifrën më të lartë të vdekjeve me 731 persona. Kjo ka bërë që numri total i vdekjeve të shkojë në 12 722 persona, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti “John Hopkins”.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani numërohen më shumë se 398 mijë raste me COVID 19, numri më i lartë në të gjithë botën. Ndërsa në mbarë botën numri i rasteve me COVID 19 ka shkuar në 1.4 milion. Në një konferencë për shtyp, presidenti Donald Trump tha se kjo mund të jetë maja e kurbës së vdekjeve nga koronavirusi në ShBA.