Nga PDK-ja thonë se Qeveria e shkarkuar po tregohet e vonuar me testet për Covid-19

12 prill 2020 | 13:17

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi, ka kritikuar qeverinë në detyrë për numrin e vogël të testeve për koronavirus, duke kujtuar se partia e tij ka bërë thirrje për sa më shumë teste edhe para një muaji.

Bytyçi në llogarinë e vet në “Facebook” ka demantuar pretendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se Kosova ka bërë numër rekord testesh duke treguar se rekordin në rajon e mban Sllovenia me 17 100 teste për 1 milion banorë, ndërsa Kosova vetëm 1 670 teste.

“Prandaj qeveria në ikje duhet të heq propagandën boshe dhe të vihet sa më shpejt në veprim që të sigurojë importimin e sa më shumë testeve nga jashtë si dhe të rrisinumrin e tyre për të arritur së paku nivelin e shteteve fqinje në pamundësi për të arritur rekordin e Sllovenisë”, ka shkruar Bytyçi.

Postimi i plotë i Bytyçit:

Muajin e kaluar Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga qeveria e shkarkuar që të ndjekë rekomandimet e dhëna nga OBSH për luftën kundër pandemisë dhe të shtonte e shpeshtonte testet për të zbuluar të infektuarit. Fatkeqësisht edhe me çështjen e testeve ministri në detyrë Vitia dhe mbarë qeveria në ikje, po tregohet e vonuar dhe e mangët, sikurse me masat ekonomike.

Shpërthime e befasishme të disa vatrave të infektimit, sikurse ndodhi ditëve të fundit me rastin e Ferizajit dhe Prishtinës tregon se masat parandaluese dhe ndalim-qarkullimi nuk mjaftojnë për këtë luftë. Duhen gjithashtu shumë më shumë teste.

Kështu, për datën 11 prill 2020, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka raportuar se janë bërë 130 teste që përkthehen në përafërsisht 0.07 teste për 1000 banorë. Dje Maqedonia e Veriut raportonte se në 24 orë e fundit ishin kryer 586 teste që do të thotë 0.29 teste për 1 mijë. Pra 4 herë më shumë teste për frymë se në Kosovë.

Serbia ka qenë deri javën e kaluar në fund të rajonit mirëpo ditëve të fundit i ka shumëfishuar testet duke arritur në total në 16.399 teste. E dhëna e fundit e Serbisë nxjerrë nga laboratori i institutit Torlak të Beogradit, flet për 2159 teste brenda një dite nga të cilat dolën 275 të infektuar. Duke patur parasysh që janë 7 milionë banorë i bie më shumë se 0.3 teste për 1 mijë banorë ose 4.4 herë më shumë për frymë se Kosova .

Kryeministri në videon e tij tha duke iu “rënë tupanave” gjithë mburrje se mbajmë rekord për teste. Rekordin për rajonin vazhdon ta mbaj Sllovenia që ka bërë 1,232 teste ditën e fundit ose 0.6 teste për 1 000 banorë. Në total Sllovenia ka shkuar në 34 200 teste ose 17 100 teste për 1 milion banorë. Kosova ka ngelur në 3006 teste të bëra deri më tani që përndryshe konsistojnë në 1670 teste për 1 milion banorë.

Prandaj qeveria në ikje duhet të heq propagandën boshe dhe të vihet sa më shpejt në veprim që të sigurojë importimin e sa më shumë testeve nga jashtë si dhe të rrisinumrin e tyre për të arritur së paku nivelin e shteteve fqinje në pamundësi për të arritur rekordin e Sllovenisë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sikur të mos mjaftonte përhapja e pandemisë së COVID-19, India…