Të gjithë kundër vendimit “kundërkushtetues” të qeverisë

14 prill 2020 | 08:07

Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes së qytetarëve po cilësohet antikushtetues.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nga 15 prilli në Kosovë do të ketë masa rigoroze kundër pandemisë së virusit “Korona”.

Vitia në një konferencë për media ka njoftuar se lëvizja e qytetarëve brenda ditës do të jetë vetëm 1 orë e gjysmë e ndarë në tetë kategori.

Një vendim të tillë njohësit e Kushtetutës e kanë quajtur antikushtetues, shkruan lajmi.net.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë në emisionin “Pressing” se Qeveria e Kosovës ka shkelur përsëri Kushtetutën e vendit. Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i sotëm është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.

“Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, tha Hasani.

“Kjo mënyrë që u tha është tërësisht kundër kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse është gjendje e jashtëzakonshme efektivisht dhe është derogim nga liritë dhe të drejtat kushtetuese sipas nenit 56. Derogim, nuk është kufizim, ky është derogim i lirive dhe të drejtave kushtetuese sipas nenit 56. Është uzurpim i pushtetit, tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Hasani.

Avokati Dastid Pallaska thotë se Ministria e Shëndetësisë me vendimin për masat e reja kufizuese për qytetarët e ka shpërfill aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, është kufizuar edhe më shumë liria e lëvizjes e cila mund të bëhet vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vendimi për masat e reja kufizuese paraqet shpërfillje të pashembullt të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pasi që liria e lëvizjes sërish është kufizuar në nivel vendi – madje në shkallë edhe më të lartë – me një vendim të vetëm dhe atë pa plotësim/ndryshim të bazës ligjore e cila nga Gjykata Kushtetuese është vlerësuar si e pamjaftueshme për kufizime të tilla të lirisë së lëvizjes.

Partia Demokratike e Kosovës është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë.

“Kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë, që tregon se kjo Qeveri po përpiqet të nxjerrë nga funksioni Kuvendin e Kosovës dhe t’i përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj. Vendimi i saponxjerrë nga Qeveria e shkarkuar, përbën një cenim të rëndë të rendit Kushtetutës të Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës e dënon rëndë dhe i bën thirrje institucioneve të tjera të shtetit dhe mbarë opinionit publik që të angazhohen për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të penguar autoritarizmin në Kosovë”, thuhej në reagimin e PDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për masat e reja rigoroze në lidhje me pandeminë COVID-19.

“Qeveria me masa e me forcë, merr pushtet që nuk i takon! Puç, tjetër emër a ka?!”, shkruan Abrashi në Facebook.

Ndaj masave të reja të Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka konsideruar se është cenuar rëndë rendi kushtetues.

Sipas Haradinajt, me këtë vendim kundërkushtetues që nuk e përfill vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria e ka uzurpuar pushtetin dhe ma shkelur të drejtat e njeriut.

“Me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, në emër të parandalimit të Covid-19 dhe menaxhimit të gjendjes në vend, rendi kushtetues është cënuar rëndë. Qeveria e Kosovës, me këtë vendim anti-kushtetues, ka uzurpuar pushtetin. Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cenuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet anti-kushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm”, ishte reagimi i ish-kryeministrit.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID-19.

“Qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID 19, ndërsa tashmë qeveria e shkarkuar ka dal totalisht jashtë kontrollit të kushtetutës!”, shkruan Shala në “Facebook”.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka komentuar masat e reja kufizuese që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë në lidhje me parandalimin e përhapjes së virusit “Korona”.

“Për momentin jam i brengosur për këtë orar të komplikuar të cilën duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.

Kujtojmë se Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë së shkarkuar, i datës 23 mars 2020, përbënte një shkelje të lirive themelore, duke sqaruar se ligjet e posaçme për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, kurrsesi nuk i japin të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në gjithë vendin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma, Milaim Zeka, ka…