Pallaska, Kurtit: Seanca e Kuvendit janë të ‘kota’ vetëm në sistemet totalitare

14 prill 2020 | 13:44

Avokati Dastid Pallaska, ka reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili e ka quajtur të kot seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e një pako emergjente të propozuar nga qeveria.

Pallaska në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se seancat e Kuvendit janë të “kota” vetëm në sistemet diktatoriale. “Seancat e Kuvendit janë të ‘kota’ vetëm në sisteme totalitare ku roli i Kuvendit është i kufizuar në duartrokitjen e diktatit absolut të liderit suprem dhe lartësimin e figurës së tij”, ka shkruar Pallaska.

Postimi i plotë i Pallaskës:

Seancat e Kuvendit janë të “kota” vetëm në sisteme totalitare ku roli i Kuvendit është i kufizuar në duartrokitjen e diktatit absolut të liderit suprem dhe lartësimin e figurës së tij.

Sipas rendit tonë kushtetues, puna e Kuvendit nuk mund të ndalohet dhe/apo kufizohet në çfarëdo mënyre nën asnjë rrethanë, e as pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Përkundrazi, Neni 66.4 i Kushtetutës përcakton se mandati i Kuvendit zgjatet edhe nëse rastisë të skadojë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Për më shumë, Neni 70.1 i Kushtetutës përcakton se deputetët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Këto janë ndër siguresat më kryesore kushtetuese që e mbrojnë vendin nga aparatçikët me tendenca autokratike që keqpërdorin edhe situatat e jashtëzakonshme, emergjencat mjekësore apo fatkeqësitë natyrore për përvetësim të pushtetit absolut në mënyrë kundër-kushtetuese.

“Leja” për deputetët që të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, që është lëshuar nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, paraqet jo vetëm shkelje të dispozitave të lartpërmendura kushtetuese por edhe një goditje të rëndë ndaj demokracisë tonë të brishtë kushtetuese.

Precedenti që synohet të vendoset me këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës është fare i qartë. Nëse ushtruesi i detyrës i Ministrit të Punëve të Brendshme ka të drejtë që sot të “lejon” pjesëmarrjen e deputetëve në seancë, nesër – sipas të njëjtit parim – mund edhe ta ndalojë këtë.

Kjo “leje” duhet të apelohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të të gjitha partive parlamentare. Ky precedent i rrezikshëm i prekë të gjithë deputetët njëjtë dhe munnd të përdoret nesër nga secili aparatçik që ka pretendime për përvetësim të pushtetit absolut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi,…