Hamza: Shteti e ka humbur kontrollin në veri, po ndërhyhet në sovranitet

14 prill 2020 | 15:57

Partia Demokratike e Kosovës ka  mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku është folur për situatën e krijuar në vend, pas masave të reja të ministrisë së Shëndetësisë si dhe për zhvillimet në seancën e sotme të Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza duke folur për projektligjet e sotme të propozuara nga PDK të cilat nuk u hodhën në votim, ka thënë se Kuvendi nuk i ka respektuar praktikat e mëhershme, në të cilat sipas tij ka pasur edhe votime të tjera në formë të ngjashme, shkruan lajmi.net.

“Ka pasur raste në seancat e kaluara kur janë futur me mocion ligjet, dhe janë votuar ato. Ky është interes nacional i vendit sepse ne jemi vonu. Në votimin e buxhetit kemi pasur raste të konfirmuar me koronavirus, mirëpo nuk janë ndarë fonde për përballimin e pandemisë. Nuk ka mundësi që një pjesë e madhe e masave të jenë të implementueshme pa krijimin e bazës legale. Insistimi jonë ishte që të hedhet në votim mocioni procedural, ku njëri është ligj i veçantë që nuk e ndryshon projektet brenda buxhetit, dhe tjetri ka qenë plotësim ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike”, ka thënë Hamza.

Tutje, Hamza ka folur edhe për situatën në veri të vendit, e cila sipas tij ka dalë nga kontrolli i shtetit.

“Ne po i shohim dhe vendimet që kanë të bëjnë me cenimin e të drejtave të lëvizjes. Po e shohim situatën në veri. Unë vij nga Mitrovica dhe e di gjendjen atje. Është humbë kontrolli i shtetit mbi atë pjesë. Kjo që po ndodhë është ndërhyrje në sovranitetin e shtetit”, tha Hamza.

Në fund, Hamza ka folur edhe për projektligjet që u tha se u tërhoqën nga PDK, për të cilat tha se nuk ka ndodhur një gjë e tillë, dhe se të njëjtat janë në procedurë.

“PDK nuk i ka tërhequr projektligjet nga procedura. Projektligjet janë në procedurë dhe do të kërkojmë që ato të trajtohen në Kuvendin e Kosovës. Ma mirë është sot, me i dhanë 320 milionë, pa u vonu, dhe efekti i tyre ka me qenë ma i madh se pas 2-3 muajve të jepet dyfishim”, ka thënë Hamza.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biznesmeni shqiptar, pronari i fabrikës Meka, Burim Piraj kryetaren e…