Shqipëria dhe Kosova pa strategji për profilin e diplomatit shqiptar

13 prill 2020 | 14:42

Lisen Bashkurti

Diplomacia shqiptare në dy anët e kufirit kombetar, Shqipëri dhe Kosovë, është përballë sfidave të mëdha. Kohët e fundit janë rritur shumë zërat kritikë nga brenda dhe jashtë këtyre dy shteteve për gjendjen e diplomacisë. Ndër to ka edhe zëra racionalë dhe profesionalë që lypet të konsiderohen seriozisht, sikundër ka edhe zëra tërësisht diletantë që vijnë nga tribuna politike apo mikrofona dhe kamera mediatike.

Këto kritika përfshijnë problematikat fqinjësore, vështirësitë e pakicave shqiptare përreth shteteve amë, stanjacionin në bashkëpunimin me BE (veçanërisht për Kosovën) dhe shtetet individuale të tij, imazhin ndërkombëtar dhe reputacionin e tronditur të të dy shteteve, dobësitë e diplomacisë publike, të metat serioze të diplomacisë ekonomike, kapacitetet e dobëta negociuese dhe probleme të tjera të lidhura me to.

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, përzihen të gjithë në çështje të politikës së Jashtme dhe diplomacisë, krejt sikundër fusin hundët në futboll. Po të vërehet me kujdes dhe në vazhdimësi politika ndërkombëtare dhe media, qartësisht evidentohet se në çështje të politikës së Jashtme dhe diplomacisë në mbarë botën, zërat që merren me to janë fare të kufizuar dhe jashtëzakonisht të specializuar. Dhe kjo është normale.

Problemet e diplomacisë së të dy shteteve shqiptare dalin sidomos në pah në dy aspekte: në Kosovë shfaqen në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve përmes arritjes së një marreveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare të pranuar nga palët dhe të garantuar nga BE dhe SHBA; në Shqipëri shfaqen në dialogun me BE dhe shtetet individuale të tij për të gjitha aspektet e integrimit.

Mjerisht, konstatohet lehtësisht edhe përmes metodave shkencore të thjeshta observuese që politika zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë nuk i kanë kushtuar rëndësinë e kërkuar diplomacisë. Për të mos thënë qe e kanë konsideruar atë si çiflig shpërblimesh politike, ofrimesh nepotike, lojërash koniukturale, zgjidhjesh rastësore, pa kurrfarë strategjie profesionale dhe afatgjatë.

Në Tiranë dhe në Prishtinë mund të thuhet se prej vitesh ka munguar një lidership diplomatik profesional dhe me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar. Në Shqiperi nuk merret vesh kush e udhëheq diplomacinë e vendit. Formalisht në krye të diplomacisë është kryeministri Rama, i cili është edhe në krye të qeverisë, edhe të shtabit të eleminimit të pasojave të tërmetit të Nëntorit 2019, edhe në krye të “luftës” kundër COVID-19, edhe të reformës gjysmake në arsim, edhe të reformës në drejtësi, edhe, edhe…

Duke patur një prirje të dukshme autokrate dhe tërësisht centralizuese, kryeministri Rama ka paralizuar tërësisht institucionin e politikës së Jashtme dhe diplomacisë zyrtare të Shqipërise. Ai hedh aty-ketu ndonjë deklaratë, merr ndonjë nismë nga lart pa kurrëfarë lidhjeje e kooordinimi ndërkombëtar dhe bën ca show në krye të OSBE që shuhen pa nisur mirë akoma.

Sa për të arsyetuar vetveten, por edhe për të injoruar qëllimshëm kapacitetet diplomatike të Shqipërise dhe padyshim për spekulim populist e pseudo-nacionalist, Rama ka vënë në krye të diplomacisë së vendit z. Caka, që është shndërruar (e për këtë ndjehem shumë keq ta them, por që duhet thënë për hir të interesave shtetërore), në një referencë komike në mediat dhe opinionin publik shqiptar dhe i shpërfillur krejtësisht në atë ndërkombëtar. Asnjë zëvendësministër patericë nuk mund ta mbajë në këmbë ministrin në detyrë të Kryeministrit Rama.

Në Prishtinë për shumë vitë z. Hashim Thaçi dhë partia e tij, më prirje gjënëralësh luftë e monopolizoi tërësisht politikën e Jashtme dhe diplomacinë. Duket se Thaçi dhe garnitura politiko-nepotike e tij jo vëtëm nuk ngritën dot institucionin politiko-diplomatik në Kosovë, por qartësisht shkatërruan edhe ato pak struktura dhe kapacitete njerëzore që me shumë mund u trashëguan dhe u krijuan në Kosovë.

Thaçi dhe garnitura e tij politiko-nepotike kanë paralizuar tërësisht diplomacinë e Kosovës. Ish-komandanti, ish-kryetati i PDK, ish -kryeministri, presidenti aktual Thaçi, ka dështuar në mënyrën më të turpshme në politikën e Jashtme dhe diplomacinë e Kosovës. Deklaratat, konferencat e shtypit, mendimet, qëndrimet dhe veprimet e Thaçit në politikën e Jashtme dhe diplomaci, janë shprehja më e qartë e injorancës, paditurisë, papërgjegjshmërisë, kapadaillëkut dhe arrogancës.

Politika e Jashtme dhe diplomacia ia kanë hequr edhe ato pak merita dhe kontribute që Thaçi ka pasur dhe e kane shndërruar në një figure sa të urryer aq edhe qesharake. Si për ti vënë qeleshe mbi kokë diplomacise, vitet e fundit në krye të saj, Thaçi vendosi biznesmenin e tregëtarin e njohur, por pa kurrëfare lidhje me politikën e Jashtme dhe diplomacinë, z. Pacolli.

Koha e Pacollit në krye të Ministrisë së Jashtme është koha e dështimeve spektakolare për diplomacinë e Kosovës. Asnjë avancim, por kthim prapa në njohjet ndërkombëtare, asnjë progres, por bllokim në organizatat rajonale dhe agjencitë ndërkombëtare, asnjë përparim, por stanjacion në aspektet e integrimit, asnjë zhvillim i diplomacisë publike dhe ekonomike të Kosovës. Pacolli hyri dhe doli si minister-kukull në duart e bixhozit politik të Thaçit dhe garniturës politiko-nepotike të tij.

Mjerisht as në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk e kanë çmuar, por nëpërkëmbur politikën e Jashtme dhe diplomacinë. Liderët Rama dhe Thaçi, hynë dhe po dalin nga politika pa kuptuar sa dhe siç duhet rolin dhe peshën e diplomacisë për fatet e shteteve tona të vegjël dhe të Kombit Shqiptar.

Roli e pesha e diplomacisë kushtëzohen nga vetë përmasat, fuqia dhe statusi ndërkombëtar i shtetit të cilin ajo përfaqëson. Shtetet si Shqipëria dhe Kosova janë me përmasa të vogla, fuqi të kufizuar dhe status mospërfillës në politikë-bërjen dhe vendim-marrjen globale. Prandaj, në një farë kuptimi diplomacia e shteteve të vogla, si Shqipëria dhe Kosova, nuk mbështetet dot nga përmasat, fuqia dhe statusi ndërkombëtar i vetë shteteve që përfaqëson.

Ndërkohë sfidat e shteteve tona të vegjël janë shumë të mëdha. Asimetria midis sfidave të mëdha dhe përmasave, fuqisë dhe statusit të kufizuar të shteteve Shqipëri dhe Kosovë, bën të domosdoshme një vëmendje shumë të madhe për diplomacinë.

Ajnshtajni theksonte peshën e madhe që ka diplomacia për shtetet e vegjël. Ai vinte në dukje që sa më të vegjël të jenë shtetet, aq më të mirë duhet ta kenë diplomacinë e tyre. Fuqia e diplomacisë kompenson kështu limitet e vetë shtetit të vogël.

Kur flasim për diplomacinë kemi parasysh vetë diplomatin si ushtruesi i këtij profesioni. Gjatë tranzicionit shqiptar dhe shtet-formimit të Kosovës është shpërfillur në mënyrë të papranueshme figura e diplomatit. Në diplomaci më shumë se kudo tjetër, është provuar katërcipërisht parashikimi i akademikut Kosovar Esat Stavileci, i cili thoshte që “…në Kosovë po dështojnë në ndërtimin e shtetit, në Shqipëri po dështojnë në mbajtjen e shtetit…”.

Diplomacia është diplomati. Mungesa e statusit të qëndrueshëm, goditjet diletanteske të politikës, ndikimi i konfliktit të interesit, investimet e pakta kualifikuese e trajnuese, trajtimi i dobët financiar kanë goditur shumë rëndë establishmentin e diplomatëve të karrierës në Shqipëri dhe nuk po e ngrenë dot atë në Kosovë.

Si pasojë, sot përjetojmë një krizë të thellë të kapaciteteve diplomatike të karrierës në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe kjo krizë ndodh kur vendet tona kanë nevojë urgjente dhe më shumë se kurrë për diplomatë të aftë. Në Kosovë të udhëheqin negociatat tejet të vështira me Serbinë, të cilat Thaçi e garnitura e tij politiko-nepotike i ka futur në kaos. Në Shqipëri për të udhëhequr negociatat tejet të komplikuara me BE dhe vendet individuale të tij për anëtarësimin e plotë të vendit në këtë organizatë, të cilat Rama dhe kukulla e tij, Caka, i kanë pështjelluar si mos më keq.

Kërkohet përpilimi i një strategjie të re për krijimin dhe konsolidimin e kapaciteteve diplomatike bashkëkohore në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo strategji lypet të definojë qartësisht profilin e diplomatit shqiptar qe i duhet të dy vendeve në këtë milenium.

Mendoj që diplomati shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë lypet të ketë aftësi komunikuese dhe oratori mbresëlënëse, të jetë i arsimuar mirë, njohës i thellë i historisë dhe i filozofisë politike, me formim dhe kulturë enciklopedike, me vizion politik afatgjatë, dinjitoz dhe i kujdesshëm, me karakter të fortë, mjeshtër i mirësjelljes së dukshme, i qëndrueshëm dhe me takt, imponues respekti me sjelljen dhe fizionominë e tij etiko-morale.

Këtë profil diplomati shqiptar kërkohet ta formojë dhe ta stabilizojë përmes një strategjie të re për kapacitetet e diplomatëve shqiptarë të karrierës në të dy anët e kufirit dhe për institucionet e përfaqësimit të tyre në qendrat e dy shteteve dhe në përfaqësitë jashtë tyre.

Qeveria e re 51 ditore e Kosovës, tani qeveria në detyrë Kurti, duket se e nisi me masa drastike në sektorin diplomatik. Këto masa filluan me lëvizje të shumta të diplomatëve nga jashtë brenda. Nevojiten masa të tilla, por do thoja se kërkohet më kujdes, më maturi dhe më vetpërmbajtje kur preken burimet njerëzore diplomatike. Lypet strategjia përpara, e pastaj lëvizjet e njerëzve. Lypet përgatitje e burimeve njerëzore përpara dhe pastaj zëvendësimet. Lypet të qartësohet publikisht reforma diplomatike, pastaj të veprohet. Ndryshe mund të bihet në përsëritjen e gabimeve të Thaçit e të garniturës së tij politiko-nepotike, që e rrënoi institucionin e diplomatit akoma pa e nisur mirë.

Ndërkohë në Tiranë nuk vërehet kurrëfarë lëvizje, së paku publike, se për reformë as që bëhet fjalë, për përgatitjen e institucionit të politikës së Jashtme dhe të diplomacisë për procesin e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE. Diplomacia Evropiane është më e vjetra, më konservatorja dhe profesionalja në botë. Diplomacia e BE posaçërisht është më e komplikuara.

Shqipërisë iu hapën negociatat, por ajo nuk po merr masat e duhura për fillimin e tyre. Krahas kryerjes në kohë të kushteve të vëna nga BE, Shqipëria lypet urgjentisht të përgatisë ekspertët e negociatave me BE. Në qendër të ekipeve negociatore janë diplomatët. E në krye të diplomatëve nevojitet një lidership diplomatik i aftë, i arsimuar, me eksperiencë të madhe dhe i qëndrueshëm për një kohë të gjatë, sikundër do jetë vetë procesi i negociatave për antëarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shqipëria dhe Kosova janë shtete të vegjël përballe sfidave të mëdha. Kjo asimetri përballet më mirë, më shpejt dhe në mënyrë më të suksesshme me një diplomaci moderne, profesionale dhe të qëndrueshme. Vendet e vegjël kanë nevojë për diplomaci të madhe dhe diplomatë të shquar, për të kompensuar atë që objektivisht u mungon për shkak të permasave, resurseve dhe fuqisë së tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja turke Hande Erçel e cila njihet me emrin “Hajat”…