LV-ja insiston në mbajtjen e zgjedhjeve, thotë se do t’i përgjigjet kërkesës së Thaçit pas pandemisë

15 prill 2020 | 14:46

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se kjo lëvizje nuk e ka ndërmend t’ia propozojë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, emrin e mandatarin për kryeministër, deri sa të përfundojë situata emergjente me epideminë COVID-19 në Kosovë.

Pavarësisht prej letrës së tretë të presidentit Hashim Thaçi dërguar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për propozimin e kandidatit për kryeministër, Nagavci ka thënë se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosjes mbetet i njëjtë.

“Ajo që është e rëndësishme sot, është koordinimi i veprimeve të të gjitha institucioneve në menaxhimin me sa më sukses të pandemisë me COVID-19”.

“Ndërkaq, për çështjet politike do të flasim në momentin që do të krijohen kushtet, pasi të mos ketë shumë nevojë të merremi me shëndetin publik”, ka thënë Nagavci për “Insajderin”.

Nagavci ka deklaruar se ftesës së presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për kryeministër, Lëvizja Vetëvendosje do t’i përgjigjet “sapo të krijohen kushtet”.

“Ne do t’i përgjigjemi ftesës në momentin e parë që do të krijohen kushtet për të dhënë një përgjigje”, ka thënë Nagavci.

Që prej rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Sipas LV-së, zgjidhja gjendet tek ky opsion.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje pretendon që edhe opsioni i shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, duhet të pres përmbylljen e fazës së pandeminë së shpallur për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka shkruar sot për herë të tretë një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke ia kërkuar emrin e mandatarit.

Thaçi, në letrën e tretë drejtuar Kurtit, i jep ultimatum që brenda siç thotë ai, “një periudhe të arsyeshme kohore, në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi, të propozoni kandidatin për kryeministër për të formuar Qeverinë”.

“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, është thënë në letrën e Thaçit

Thaçi i është referuar përgjigjes së fundit të Kurtit.

“Në këtë shkresë ju nuk keni propozuar kandidatin por as nuk e keni refuzuar një gjë të tillë. Duke marrë parasysh kërkesat që ua kam përcjellë, përsëri ua rikujtoj se jam në pritje të përgjigjes suaj për të propozuar kandidatin/en”, ka shkruar Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora ishte mysafirja e radhës në edicionin e emisioneve…