Punëtorët e “Trepçës” ndërpresin protestën, u premtohet shkarkimi i kryeshefit

15 prill 2020 | 14:57

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Gani Osmani, ka bërë me dije se janë takuar me Bordin e përkohshëm të kësaj ndërmarrje dhe u është premtuar se sot do t’i marrin pagat si dhe do ta shkarkojnë kryeshefin Basri Ibrahimi, ndërkaq ky i fundit ka thënë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë dhe nuk ka kurrfarë arsye menaxheriale për shkarkim.

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Gani Osmani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se janë detyruar që të protestojnë për shkak se nuk i kanë marrë pagat, madje duke mos u përfillur masat që ka marrë qeveria ndaj koronavirusit (distanca prej dy metra).

“Punëtorë e ndërmarrjes ‘Trepça’ kanë protestuar sot para minierës në Stën -Tërg për shkak se thonë që nuk i kanë marrë pagat e tyre. Jemi diku 350-400 punëtorë që jemi detyruar të protestojmë, madje duke mos e përfillur edhe distancën sociale”, ka thënë Osmani për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka theksuar se pas takimit me Bordin e përhoshëm të “Trepçës”, kanë marrë premtime se sot do t’i marrin pagat dhe do ta shkarkojnë kryeshefin Basri Ibrahimi. “Sapo u takuam me Bordin mbikëqyrës dhe morëm premtime se do t’i marrim pagat, por që edhe do të shkarkohet kryeshefi Basri Ibrahimi”, ka thënë ai.

Kurse, Basri Ibrahimi, kryeshef i “Trepçës”, i ka thënë gazetës “Epoka e re” se sot i kanë marrë pagat disa minatorë dhe është ndërprerë protesta.

Ai ka thënë se ende nuk është i njoftuar zyrtarisht për shkarkimin  e tij, dhe sipas tij, nëse ndodhë një gjë e tillë kryekëput ka të bëjë me arsye politike.

“Po është e vërtetë që sot u kanë dalë pagat. Nuk kemi mundur që t’ua japim pagat për shkak të krizës globale të pandemisë Covid-19. Sa i përket shkarkimit tim, ende s’jam njoftuar zyrtarisht, por unë u them se prej që jam në krye të detyrës prodhimi për gjashtëmujorin është rritur 28 % dhe arsye tjera menaxheriale për shkarkim s’ka, por vetëm kryekëput për arsye politike”, ka thënë Ibrahimi.

/Epoka e re/ A. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një prej projekteve më të suksesshme të Fifit është “Zhurmë”,…