Munishi: Të mos bie asnjë ekip nga Superliga

15 prill 2020 | 19:01

Trajneri i KF Ballkani, Ismet Munishi, i cili kryeson Superligën e Kosovës, ka propozuar që asnjë skuadër të mos bjerë nga kategoria këtë sezon, por të bien më shumë skuadra sezonin e ardhshëm.

45-vjeçari e quan të dhimbshëm faktin që skuadrat të duhet të bien nga kategoria këtë vit. Për më tepër, ai flet edhe për rrezikun që iu kanoset lojtarëve në rast të rifillimit të këtij sezoni, që sipas tij është tejet vështirë të fillojë.

“Nuk guxojmë të lejojmë që skuadrat të dalin në fushë dhe të rrezikohet shëndeti i lojtarëve, sepse mungon përgatitja fizike ku mund të ketë lëndime por edhe larg qoftë ndonjë sulm në zemër nga ngarkesat e mëdha, por gjitha këto duhet të parashikohen edhe pse do të jetë mjaft e vështirë të filloj kampionati sivjet. Nuk guxon të ndryshohet gara, ose vazhdon ose merret vendim që pritet të vendoset nga UEFA javën e ardhshme, pasi po dëgjoj zëra kohën e fundit që të ndryshohet rrjedha e garave me turne, por nuk ka mundësi, pasi ose të vazhdon në rrjedhën e vetë ose të ndërpritet dhe të bazohet në renditjen aktuale”, ka thënë Munishi.

“Gjithashtu do të kishte qenë mirë që asnjë skuadër mos të bie nga liga, pasi një skuadër që në xhiron e fundit ka rënë në zonën e rrezikshme është mjaft e dhimbshme, dhe unë propozoj që të rritet liga dhe nga viti i ardhshëm të bien më shumë skuadra nga liga”, ka deklaruar Munishi për “TV Prishtina”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Google ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje…