Veseli viziton ndërmarrjet prodhuese: Pakoja e propozuar nga PDK-ja ndihmon 280 mijë punëtorë të sektorit privat

16 prill 2020 | 15:32

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar të enjten një fabrikë kosovare e cila edhe në këtë kohë pandemie nuk e ka ndalur prodhimin e produkteve ushqimore.

Veseli gjatë vizitës në fabrikën “Elkos” në Pejë, ka shpalosur pakon e rimëkëmbjes ekonomike që e ka propozuar PDK-ja, e që kapë shifrën prej 320 milionë euro.

Gjatë bashkëbisedimit me pronarin e “Elkos Group”-it, Ramiz Kelmendi, Veseli ka thënë se pakoja e propozuar e cila vazhdon të mbetet në procedura parlamentare do ti ndihmojë 280 mijë punëtorë të sektorit privat si dhe mijëra biznese.

“Nuk janë gjithë ndërmarrësit si Ramiz Kelmendi. Sektori i shërbimeve, sektori i hotelerisë, nuk ka mundësi të paguajë qiranë, nuk ka mundësi të paguajë punëtorët, kredinë. Po flas për 280 mijë punonjës të sektorit privat të cilat kanë nevojë emergjente që Qeveria e Kosovës të reagojë sa më shpejt që të mbajë këto familje mos t’i kthejë në asistencë sociale në mënyrë që ata pas tre muajve të jenë ata që po ashtu mbushin arkën e shtetit, të cilët e mbajnë ekonominë e Kosovës dhe të cilët e mbajnë mirëqenien po ashtu”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, ndërmarrësit që janë duke punuar, nuk duan lëmoshë, mirëpo siç tha ai qeveria e Kosovës duhet të veprojë sa më shpejt për ti mbështetur.

“Pakoja nuk është tërhequr dhe nuk do të tërhiqet asnjëherë. Si Parti Demokratike do ta shtyjmë fuqishëm. Për fat nuk patëm përkrahjen në seancën e jashtëzakonshme. Donim ta kryenim të martën për një ditë, por tani do të shkojmë në procedura të rregullta. Thërras qeverinë e Kosovës të reflektojë ndaj kësaj situate, thërras edhe kryetaren e Kuvendit ta vejë në rend të ditës javën e ardhshme në mënyrë që ta kalojmë pakon e cila duhet të na bashkojë e jo të na ndajë”, është shprehur Veseli.

Për 21 vjet, këto biznese sipas Veselit e kanë mbajtur Kosovën të fortë dhe kanë kontribuar për arkën e shtetit.

Ndërsa pronari i kompanisë “Elkos Group”-it, Ramiz Kelmendi, ka përkrahur pakon e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për çka ka thënë se një përkrahje e tillë do të ndihmonte shumë ndërmarrjet private.

“Bizneset private dhe qytetarët kanë nevoje për mbështetje dhe vizita të tilla në mënyrë që të shihet drejtpërdrejt propozimet që ka dhënë PDK për ta mbështetur sektorin privat, dhe janë më se të domosdoshme në mënyrë që të përballojmë krizën. Është e njohur që bizneset të cilat i mbështet qeveria në kohë krize dalin në pozitë më të favorshme, se sa bizneset e regjionit. Pra, është një mundësi e mirë që pakoja nga PDK na bën neve që pas pandemisë të kalojmë hapin në raport me shtetet e regjionit”, ka thënë Kelmendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i përkohshëm mbikëqyrës i drejtorëve në ndërmarrjen  “Trepça”, ka…