Kryesia e Kuvendit dështon t’i çojë përpara projektligjet për Covid-19

16 prill 2020 | 17:02

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka gjetur sot konsensus për të çuar përpara asnjë nga tri nismat legjislative që lidhen me luftimin e koronavirusit.

Një nga propozimet ka qenë Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 i propozuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja Osmani e kishte filluar këtë nismë ligjore më mbështetje të pesë deputetëve dhe siç ishte thënë, nisma ishte iniciuar si rrjedhojë e kërkesave të cilat burojnë nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 6 prill 2020, i cili specifikon rolin e Kuvendit në ndërmarrjen e masave të duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nuk pasur pajtim mes anëtarëve të kryesisë për shkak se vendi është në një krizë politike.

Sipas tij, asnjë nismë ligjore nuk mund të shkojë më nga Kuvendi në Qeveri pasi Kuvendi ia ka hequr besimin Qeverisë së drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në kryesi u diskutuan edhe dy nisma të tjera të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe për shqyrtimin e masave shtesë për mbrojtje nga koronavirusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka bërë me dije…