Drejtori i laboratorit të Vuhanit: Virusi s’ka dalë nga ne, se ne s’kemi aftësi ta prodhojmë

20 prill 2020 | 11:43

Duke ndjekur linjën e qeverisë kineze dhe zyrtarëve të Partisë Komuniste, drejtori i Laboratorit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare në Wuhan, i ka hedhur poshtë pretendimet se ky laborator mund të jetë burimi i epidemisë së koronavirusit, duke e quajtur atë “të pamundur” dhe duke e etiketuar si “teori konspirative”, shkruan Zëri i Amerikës.

Në një intervistë të shtunën për transmetuesin shtetëror në gjuhën angleze (CGTN), Yuan Zhiming, tha se “nuk ka asnjë mundësi” që virusi të jetë përhapur nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, veçanërisht laboratori i tij P4, i cili trajton viruse të rrezikshme.

“Nga njohuritë e mia personale të virologjisë nuk ka të dhëna që virusi ka gjurmë të një prejardhjeje artificiale apo sintetike”, tha ai.

“Përveç kësaj, disa shkencëtarë besojnë se të sintetizosh një virus duhet një zgjuarsi dhe punë e jashtëzakonshme, që e kapërcen aftësinë që mund të përballojë shoqëria njerëzore. Prandaj, unë nuk kam besuar kurrë se ne njerëzit kemi aktualisht aftësinë të sintetizojmë këtë virus”, tha zoti Yuan.

Ai shtoi se asnjë nga anëtarët e personelit nuk është infektuar dhe se “i gjithë instituti po bën studime në fusha të ndryshme të lidhura me koronavirusin”.

Pekini është kritikuar për mungesë transparence në trajtimin e pandemisë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po hetojnë nëse virusi e ka patur origjinën nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, një laborator për biosigurinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani I dashur dhe shumë i nderuar shoku e…