FBK-ja nis punën për licencimin e klubeve dhe trajnerëve

21 prill 2020 | 17:10

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) tashmë i kanë filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm.

Në fakt së fundi Bordi i FBK-së e ka formuar një Grup të Punës, i cili do të punojë në dy dokumente shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për përgatitjen e kritereve për licencim të trajnerëve për edicionin 2020/21 dhe kritereve për licencim të klubeve/shkollave të basketbollit.

Grupi i Punës pritet që draftet e para të këtyre dy dokumenteve t’ia dorëzojë FBK-së në mes të muajit maj dhe më pas ato dokumente do të bëhen publike për konsultime në opinion, si dhe krejt në fund pritet të miratohen nga Bordi i FBK-së si dokumente përfundimtare.

Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së: “Qëllimi i krijimit të këtij Grupi të Punës është pra përgatitja e dy dokumenteve shumë të rëndësishme për FBK-në, për SHTBK-në, por edhe për gjithë basketbollin në vendin tonë. Ne jemi shumë të interesuar të vazhdojmë të punojmë dhe të përgatitemi sa më mirë për edicionin e ardhshëm dhe për këtë arsye iu kemi përveshur punëve. Krahas këtyre dy dokumenteve, ne tashmë e kemi formuar edhe Grupin e Punës që do të punojë në Planin Strategjik të FBK-së 2021-2025, kurse jemi duke punuar ngushtë me FIBA Evropën për projektin e Mini-Basketbollit në Kosovë, me theks të veçantë në edukimin e trajnerëve të rinj për Mini-Basketboll. Në të njëjtën kohë edukimi i trajnerëve mbetet prioriteti ynë dhe tashmë ne jemi duke punuar me SHTBK-në në këtë aspekt dhe pritet që gjatë verës të intensifikohet ky projekt. Pavarësisht pezullimit dhe më pas edhe anulimit të aktiviteteve vendore dhe ndërkombëtare të basketbollit për shkak të pandemisë COVID-19, FBK-ja sërish do ta ketë verën e nxehtë, pasi vullneti dhe dëshira për ta çuar basketbollin përpara është shumë e madhe, andaj nuk kemi arsye të ndalemi, por të vazhdojmë të punojmë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka…