Në familjen Lushi, në dasmën e parë të pasluftës në Qyshk të Pejës

21 prill 2020 | 19:13

Sadik Zeqiri-

Pranvera në Kosovë është stinë e dhimbjeve.

Kudo në Kosovë përvjetorët e heronjve, të dëshmorëve, të martirëve, të masakrave të shumta e të ngjarjeve makabre të kryera nga policia dhe ushtria serbe ndaj shqiptarëve, të moshave e dy gjinive, zënë vend në mendjen dhe zemrën tonë të bërë vragë nga kujtime të hidhura.

Por, pavarësisht prej plagëve të luftës, për shkak të lirisë dhe shtetit të pavarur, sot ndihemi krenarë me të kaluarën historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të gjithë ata heronj e dëshmorë e invalidë e martirë e pjesëtarë e për cilindo njeri, brenda dhe jashtë Kosovës, që ka dhënë kontribut për çlirimin e vendit.

Një kujtesë, po e quaj historike, në një ambient familjar, që disa vjet e kam edhe unë dhe, hë sot, hë nesër, në këto ditë dhe kushte karantine, e kujtova sërish dhe fillova t’jua rrëfej nëpërmjet shkrimit. Në prill të vitit 2002 mora një ftesë për pjesëmarrje në një dasmë. Në një dasmë të veçantë. Thënë të drejtën, nuk do ta prisja një ftesë nga ai mik, se dhimbja që kishte përjetuar familja e tij në kohë lufte, s’besoja se i kishte lënë vend gëzimit. Ftesë më kishte dërguar Naim Lushi nga Qyshku i Pejës, me të cilin kishim kaluar disa vjet burg të rëndë për shkak të angazhimeve tona çlirimtare.

Dita e dasmës po afrohej. Dita e dasmës erdhi. U nisa për në shtëpinë e Naimit. Me mua udhëtonin shumë ngjarje, shumë sekuenca lufte, shumë fjalë e dëshmi rrëqethëse. Para më dilte figura e djaloshit me trup atleti në burgun e Dubravës i cili sapo kishte dalë nga izolimi, pas thyerjes së burgut si pasojë e bombardimit të NATO-s, e që mezi ecte duke tërhequr këmbën zvarrë nga plagët që kishte marrë në frontet e luftës. Duke u ofruar ndihmë shumë të plagosurve, së bashku me Bislimin, Asllanin, Naitin, Nijaziun, Aqifin e shumë nga ne të tjerët që u bëmë misionarë shpëtimi mjekësor pa betimin e Hipokratit, ai e harronte dhimbjen e vet dhe vetveten.

Duke kujtuar ndodhi lufte, kujtesa më dërgoi deri në burgun e Nishit, aty ku na kishin deportuar, e ku ferri mbi tokë kishte marrë formën më bizare. Uria që po na gërryente zorrët e torturat e kohëpaskohshme që na bënin, sikur na kishin topitur ndjenjat humane dhe na kishin bërë të mos arrijmë të perceptojmë saktësisht nëse ishim qenie me nevoja të tjera, veç ushqimit dhe pakëz qetësie, pakëz heshtje klithmash sa për të mundur të përfytyrojmë një tablo Kosove pa dhunën e krimin serb brenda, pa shekujt e saj të robërisë. Por, kjo s’kishte të ndalur. Një ditë, teksa po pëshpëritnim me shokët atje në qelinë 17, se athua cila do të jetë sot dera e parë që do të hapet dhe prej nga do të fillohej marshi i çmendurisë njerëzore në formën e torturës çnjerëzore mbi njerëzit gjysmë të vdekur, diku nga një kënd të qelisë filloi të dëgjohet një zë këndimi. Kthyem kokën dhe ngelëm të shtangur. Ishte Naimi, djaloshi që më shumë dëgjonte sesa fliste e që tashmë ia kishte marrë këngës e cila ishte e padëgjuar nga ne më parë e që më vonë do ta kuptojmë që ishte “Marshi i UÇK-së”.


Asllan Selimi-
Diçka brenda nesh sikur u bë ndryshe. Sikur harruam ku gjendeshim, harruam urinë, torturat dhimbjet që na shoqëronin që nga Dubrava e gjithkund tjetër. Kënga kishte një fuqi magjike. Ajo u bë shëruese e shpirtit tonë dhe, më besoni, e kam dëgjuar pastaj edhe qindra herë atë këngë, nga Arif Vladi e këngëtarë të tjerë, por asnjëherë s’më është dukur më e bukur sesa ato ditë të vështira, të cilat pastaj u bënë edhe më të vështirë shkaku i inatit serb ndaj pathyeshmërisë sonë që shpërfaqëm përmes këngës. Naimi u bë zëri i entuziazmit tonë sepse nuk ndalonte këngën as kur provonin ta ndalonin.

Nuk ndaloj as atë ditë të kobshme kur, përmes avokatëve që na vizituan, mori vesh për atë që i kishte ndodhur familjes së tij. Pasi përfundoi vizitën dhe u kthye në qeli, ne e pyetëm se si e kishte familjen. U ndal për një çast, na shikoi dhe me një zë fare të qetë, i cili më shumë fliste për kurajë sesa për dhimbje dhe na tha: “Babai dhe 6 apo 7 (më vonë kuptuam që ishin 9) anëtarë të familjes më ishin vrarë, por ky paska qenë çmimi që na ka takuar të paguajmë për liri”.

Ishim rreth 50 veta në dhomë. Askush s’bëzante. Heshtje varri. Prisnim që Naimi të fillonte të qante, sepse ishte e pritshme pas atij lajmi tragjik që kishte marrë e në kushtet ku ishim. Atë heshtje e theu vetë ai, duke na u drejtuar neve me pak fjalë: “Lufta, shokë, nuk është kopsht me lule. E vetmja e mirë që vjen nga ajo është liria të cilën populli ynë tashmë e ka. Të mbledhim forcat e të mos dorëzohemi, ta mbajmë veten e t’u kthehemi njerëzve tanë me mend në kokë, sepse mund të jemi e vetmja shpresë për ta. Ndaj të harrojmë çfarë ka ndodhur e të harrojmë ku jemi. Të kujtojmë vetëm arsyen përse jemi këtu dhe se si duam që t’u kthehemi njerëzve tanë nëse e ka bërë zoti emër të kthehemi”.


Pas këtyre fjalëve ai filloi të këndojë. Na ftoi edhe neve që donim të na lëshonte shpirti aty. Dikush iu bashkua me zor në këngë e kënga buçiste fuqishëm, duke shpërthyer grilat e hekurta e duke na hedhur në fluturim me krahët e idealit deri në prehrin e lirisë imagjinare. Ne të tjerët qanim fshehurazi për dhimbjen e tij që po ia copëtonte shpirtin, për familjen e tij të përgjysmuar nga flakët e luftës çlirimtare, për mënyrën se si shoku ynë po e nxirrte jashtë zjarrin që po e digjte.

Mendim pas mendimi e metër pas metër, arrita në Qyshk. Një flamur kuq e zi po valëvitej në mes të fshatit. Aty dëgjohej edhe tingulli i një daulleje. Më tutje, një flamur i UÇK-së valonte. U afrova afër shtëpisë ku Trupat e Mbrojtjes së Kosovës kishin ngrehur një tendë të madhe për të ftuarit. Plaku Rexhep më priti jashtë dhe më shoqëroi deri te vendi ku do të ulesha. Aty kishin bënë tavolinë të madhe, e rezervuar për shokët e luftës dhe për ata të burgut. Takova aty shokët e burgut: Asllan Selimin, Nait Hasanin, Bislim Zogajn Ekrem Kastratin, Demir Limajn, Ali Xhyliqin, Isak Shabanin, Shkelzen Zariqin, Visar Ballovcin, Maki Begollin, Blerim Camajn, Avdullah Hoxha e shumë shokë të tjerë me të cilët kishim ndarë shumë kohë të vështira bashkë. Pastaj njerëzit që mbi supet e veta bartnin peshën e krenarisë për luftën e fituar si gjeneral Agim Çekun, gjeneral Alush Agushin, gjeneral Sylejman Selimin, gjeneral Rexhep Selimin, gjeneral Haxhi Shala, kolonel Xhavit Sadrijajn, Rifat Çekun e shumë të tjerë që kishin ardhur për ta uruar e nderuar bashkëluftëtarin.

Tenda ishte e stërmbushur sepse, përveç shokëve, miqve e farefisit, Naimi kishte ftuar, në dasmë, të gjithë fshatin nga një person për shtëpi, sepse kishte dashur që kështu së bashku me ta, siç e donte tradita, që ai i cili kishte dhimbjen më të madhe, të printe me shembullin e tij dhe siç e kishin përjetuar dhimbjen bashkërisht, po ashtu së bashku ta shënonin ngadhënjimin mbi të. Dhe, ata ia dolën. Kjo ishte dasma e parë në Qyshk, gazmendi i parë që po shënonte fundin e një epoke lotësh, dhimbjesh, vrasjesh, torturash e çka jo tjetër. Këtë fund epoke përsëri Naimi e shkruante me këngë, në dasmën e vet, në gazmendin e familjes, të fshatit e të shokëve që po fitonte mbi dhimbjen. Kujt i takonte më shumë se Naimit të ngadhënjente? Kujt më shumë se atij që në atë dasmë i mungonin nëntë anëtarë të familjes? Kush e kishte më vështirë se ai?! Asnjërit dhe askujt. Por, ai kishte një mision. Misionin e ringjalljes biblike. Qyshku ia doli, Lushët ia dolën. Ata, mes këngëve, valleve, lotëve dhe gëzimit, lidhën besën se dhimbjeve do t’u bëjnë ballë gjithë e gëzimet kurrë nuk do t’ia falin armikut.  


Këtë vendosmëri të tyre e vulosën rapsodët Halit Gashi dhe Sinan Gashi me vargjet e këngës:

“Sa t’ketë jetë dielli dhe hana, kurrë n’këtë vend s’do t’ndalet kanga”.

Sot janë bërë 18 vjet nga ajo ditë e kënga nuk është ndalur. Gëzimi ka mposhtur dhimbjen vit pas viti. Këtë e bënë të mundur edhe dy engjëjt e ardhur në jetë nga kjo martesë mes Naimit dhe Fitores. Avdullahi që ka trashëguar emrin e gjyshit dëshmor, dhe Herolindi që plotëson rubikonin e fjalisë qëndresë brenda një emri.

(Kujtimet e mia si bashkëvuajtës në kazamatet serbe dhe pjesëmarrës në dasmën e Naimit).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krahas situatës më pandeminë COVID-19, Kosova po përballet edhe me…