Dëshmia

21 prill 2020 | 19:17

Albin Mehmeti

Mbase një nga ju më njeh më mirë. Mbase çdo njeri tjetër më njeh më shumë sesa që unë e njoh veten. Unë kam filluar të di për veten vetëm para disa dite apo, thënë ndryshe, jam njohur me vetveten vetëm para tre apo katër ditësh. Nuk kam lindur para tre apo katër ditësh. As nuk jam larguar nga droga, alkooli që të kthehem te vetvetja. As e para, as e dyta, por e treta. Të tretën do ta kuptoni tani. Vetën fillova ta njoh qyshkur në dhomën time erdhi Platori. E di që edhe ti që je duke lexuar, por edhe ti që do ta dëgjosh historinë nga ai që e ka lexuar i pari, por edhe ai që e ka dëgjuar historinë nga ai që e ka dëgjuar i pari nga ai që e ka lexuar, të gjithë ju, porsa ta dëgjoni emrin dhomë, do të pandehni se jam në një dhomë burgu dhe, porsa përmenda emrin e një njeriu, do të mendoni se ai është hoxhë, prift, sheh, pop, pastor apo edhe tjetër prijës fetar, që me fjalët e tij më ka larguar nga bota e mëkateve. Ashtu, siç nuk kam lindur para tre apo katër ditësh, ashtu siç nuk jam larguar nga droga e alkooli, as edhe kjo nuk qëndron. Ka më shumë se një muaj që qëndroj i mbyllur në këtë dhomë spitali. Kokën e kam të mbështjellë me fasho të bardha. Herë pas here kam kokëdhembje të tmerrshme. Që kur më erdhi vetëdija dy policë qëndrojnë te dera e dhomës. Mbase nuk ju intereson çdo detaj. Kur më erdhi vetëdija nuk e di saktë se çfarë date ishte, më ishte fshirë kujtesa. Nuk e dija se kush jam. Për fat të mirë, mund të flisja mirë e rrjedhshëm. Çdo gjë për mua shkonte keq, derisa erdhi Platori i cili më tregoi se kush jam dhe pse gjendem në këtë dhomë spitali.

***

Njëherë përnjëherë këtu e mbaroi rrëfimin narratori i parë. Ndoshta do të kthehet përsëri. E gjithë kjo varet nga autori. Unë jam narratori i gjithëdijshëm, që do të inkuadrohem herë pas here pasi autori më udhëzoi kështu. Pasi rasti është i ndjeshëm dhe tregimi ka më shumë se një narrator, unë jam ai që do ta moderoj tregimin, do t’i pajtoj e gjykoj narratorët e tjerë dhe, po qe e nevojshme, edhe do t’i përjashtoj. Kjo varet nga sjellja e tyre dhe nga ajo se si do të rrjedhë situata. Edhe pse më quajnë narrator të gjithëdijshëm, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund. Nuk e di se çfarë do t’i pjellë në mendje autorit. Tash fillon punën narratori tjetër. Narratori i parë tani do të jetë narrater i implikuar.

***

Ti ke lindur para tridhjetë e një vjetësh. Muajin e kaluar ti i mbushe tridhjetë e një vjet. Ty të quajnë Bekim. Të quajtën kështu pasi ishe bekim për prindërit e tu. Ishe fëmija i parë pas njëzet vjetëve martesë. Pas teje lindi edhe një vajzë, por vdiq pa e mbushur një vjet, nga një problem me zemër. Ti u rrite i përkëdhelur nga babai e nëna. Edhe babai e nëna jote ishin fëmijët e vetëm në familje. Ti s’ke as dajë, as teze, as axhë e as hallë. Pasi ishin të vetmit në familje, atyre u takoi një pasuri e madhe. Pasi përfundove shkollën e mesme, ti studiove për ekonomi, të cilën e mbarove me suksese të larta. Pasi përfundove studimet, me dy shokët e tu, Leartin dhe Besimin, hape një biznes të madh. Të tre kishit pasuri të madhe. Për pak harrova. Para se të përfundosh vitin e tretë, prindërit të vdiqën në një aksident komunikacioni. Pas kësaj, gjithë pasuria e dy prindërve të takoi ty. Biznesin që e hape me dy shokët të shkonte për mrekulli. Pasi ishe investitori më i madh në korporatë, ty të zgjodhën drejtor. Çdo gjë shkonte për mrekulli derisa një natë, Leart Shkëmbi ju ftoi për darkë në restorant “Blini”. Ai kishte planifikuar në detaje planin që ta vriste Besimin. Ai kishte angazhuar një njeri që ta vriste në tavolinë Besimin. Kështu mendonte që t’ia merrte aksionet në kompani. Ti pate kundërshtuar në fillim, por dikur pranove. Në kthinën e veçantë, ku darkonit vetëm ju, erdhi njeriu i porositur dhe filloi të shtinte. Ti i penduar që kishe pranuar në fillim planin e Leartit, i dole para sulmuesit dhe një plumb të goditi në kokë, më pas ai vazhdoi të shtinte ku gjuante pa ndarë në drejtim të Besimit të cilin e plagosi. Prej këtij plumbi që të goditi në kokë, ty të humbi kujtesa. Qëllimi i vërtetë i Leartit nuk ishte ta eliminonte vetëm Besimin, por edhe ty.

***

Tash fjala do t’i takoj përsëri narratorit të parë, Bekimit, i cili në kapitullin e fundit ishte vetëm narrate. Tani do të jetë ai narratori, ndërsa narrate do të jesh ti që po lexon këto fjalë. I tillë do të jetë edhe vetë autori që do t’i lexojë më pas këto fjalë që vetë i ka shkruar.

***

Nga spitali më erdhi lajmi se do të shkoj për të dëshmuar në gjyq, në seancën gjyqësore ndaj Leart Shkëmbit. Më shoqëruan dy policët që ishin kujdestarë atë ditë. Sapo mbërritëm në gjykatë filloi seanca. Isha dëshmitari i vetëm atë ditë dhe dëshmitari kyç. Fjala ime, mbase, do ta fundoste Leartin. Gjykatësi më pyeti se a do ta them të vërtetën dhe pyetjet e tjera se kush jam dhe pyetje formale. Në pyetjet se kush isha, u përgjigja ashtu siç më kishte thënë Platori. I erdhi radha prokurorit, i cili më bëri pyetje në lidhje me natën kritike. Edhe atij iu përgjigja me ato çfarë më kishte thënë Platori. Radha i erdhi avokatit mbrojtës, i cili më bëri një pyetje që s’dita t’i përgjigjem.

Avokati mbrojtës: I nderuar, pasi po pandehni se klienti im ka faj, atëherë a mund të më thoni se cili është Learti në këtë sallë?

Unë: (mendova me zë) Ku ta di, këtë s’ma ka shpjeguar Platori.

Aty filloi një zhurmë e madhe. Gjykatësi u detyrua ta ndërpresë seancën. Mua më kthyen përsëri në spital.

***

Tashmë po kthehem unë, narratori i gjithëdijshëm, dhe unë do të jem deri në fund. E di se autori i ka komplikuar pak gjërat.

Bekim Galta, që është narratori i parë, gjendet në Spitalin e Dashamirit, pasi është plagosur rëndë në kokë. Për këtë rast u zhvillua një proces gjyqësor ndaj mikut të tij Leart Shkëmbit dhe ndaj katër personave të tjerë. Por, siç e patë, gjërat u komplikuan. Një pyetje e avokatit mbrojtës ndryshoi rrjedhat. Pa dashur t’ju ngarkoj më shumë, po jua them troç ngjarjen, shkurt e shqip. Leart Shkëmbi ishte po aq viktimë sa Bekimi. E vërteta është ndryshe nga ajo që tha narratori i dytë, Platori, të cilin me konsultim me autorin e kam përjashtuar nga rrëfimi, pasi ndaj tij ka akuza goxha të faktuara për mashtrim. Darkën e famshme e organizoi vetë Besimi, i cili kishte në shënjestër ta vriste Bekimin dhe fajin t’ia hidhte Leartit. Për të forcuar më shumë idenë se faji ishte i Leartit, ai kishte porositur atentatorin që edhe vetë atë ta plagoste. Por gjërat shkuan keq, pasi Bekimi nuk vdiq. Plani i Besimit dështoi. Ai mori hapa të tjerë për realizimin e planit. Bisedoi me drejtorin e Klinikës së Neurologjisë, klinikë ku ishte i shtrirë Bekimi, dhe planifikoi planin e mëtejmë.  Besimi mendoi ta vriste, por që nuk u pajtua drejtori i Klinikës së Neurologjisë. Ai dha një mendim tjetër. Pasi Bekimit i ishte fshirë kujtesa, më së miri është ta dërgojmë ndonjë mjek i cili do t’ia rrëfente jetën atij dhe në fund t’ia rrëfente ngjarjen e atentatit, në atë mënyrë që fajtor ta linte Leartin. Ashtu edhe u bë, por nuk u realizua ajo që deshën, për arsye se u zbuluan nga përgjigjja e Bekimit në sallën e gjyqit.

Tani Prokuroria e Dashamirit ka bërë gati lëndën kundër Besim Penës, Plator Kokës dhe ndaj drejtorit të Klinikës së Neurologjisë së Spitalit të Madh të Dashamirit. Se çfarë do të ndodhë, nuk e di. Jam narrator i gjithëdijshëm, por s’dua të përzihem në punët e gjyqësorit. Divizioni i rrëfimit është i ndarë nga ai i gjyqësorit. Nuk ka përzierje kompetencash.

 (Marrë nga revista “Akademia”©)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Zeqiri- Pranvera në Kosovë është stinë e dhimbjeve. Kudo…