Raka tregon kur ishte kulmi i virusit ‘Korona’ në Kosovë dhe çfarë do të ndodhë pas 4 majit

22 prill 2020 | 14:24

Mikrobiologu Lul Raka ka folur më gjerësisht rreth gjendjes epidemike me Covid-19 në Kosovë.

Ai ka theksuar se para disa ditësh kanë pasur 79 raste me Covid-19, e që sipas tij epidemi kjo quhet piku i infektimit.

“Para disa ditësh patëm numrin më të madh të rasteve prej atyre që janë testuar, pra 79 raste edhe zakonisht në epidemi numri më i madh i rasteve brenda ditës konsiderohet piku. Unë uroj që pikërisht atë ditë ta kemi tejkaluar pikun, pasi mandej ditëve të tjera kemi pasur një ulje të rasteve. Kjo do të thotë se masat e izolimit që janë marrë në Kosovë ia ka vlejtur për sistemin shëndetësor të cilin e kemi. Kjo nuk do të thotë se pas 4 majit kur është planifikuar që të përfundojë ky cikël i izolimit nuk do të thotë se merr fund pandemia. Raste do të kemi edhe pas 4 majit, mirëpo me masat që janë marrë ky numër do të jetë i menxhueshëm për institucionet shëndetësore dhe do ta mundësojë rikthimin gradual të ekonomisë së Kosovës, sepse edhe ekonomia duhet të vazhdojë dhe duhet gjetur një bilanc ndërmjet aspektit shëndetësor dhe atij ekonomik”, ka thënë Raka për “Blic”.

Më tutje, Raka ka treguar se si duhet të veprojmë pas 4 majit kur do të fillojë dalëngadalë hapja.

Ai ka bërë thirrje që të jemi të kujdesshëm të zbatojmë masat preventive të vendosura nga organet kompetente në mënyrë që të vazhdojë dhe ekonomia të funksionojë.

“Ky kthim nuk duhet të bëhet shpejt, në këtë kthim duhet të analizohen çdo ditë rastet që regjistrohen dhe mandej në bazë të disa parametrave duhet të vendoset se ku dhe si do të jenë këto masa. Këto parametra janë që përhapja e rasteve të jetë e kontrolluar pra mos të mbingarkohet sistemi shëndetësor pastaj masat parandaluese janë nëpër ekonomitë e vogla. Ekonomitë e vogla që do të vazhdojnë me punuar duhet të përdorin maska, distancimin social dhe gjithashtu edhe komuniteti tashmë është i informuar mjaftueshëm se si duhet të sillet sa i përket distancimit social”, ka thënë Raka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para pak minuta ka filluar mbledhja mes Ministrit të Sportit…