OKB: Pandemia po shfrytëzohet për shkelje të të drejtave të njeriut

23 prill 2020 | 11:51

Koronavirusi mund të shfrytëzohet nga disa vende si justifikim për zbatimin e masave represive që nuk kanë lidhje me pandeminë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëron se emergjenca shëndetësore rrezikon të kthehet në krizë humanitare.

“Po shohim efekte disproporcionale në komunitete të caktuara, rritje të gjuhës së urrejtjes, shënjestrim të grupeve më të cenueshme dhe rrezikun e një kundërpërgjigjje me grusht të hekurt të sigurisë që minon reagimin shëndetësor”, deklaroi Guterres.

Përmes një video-mesazhi, Guterres prezantoi gjetjet e një raporti të ri të OKB, ku vihet theksi tek roli prioritar që duhet të kenë të drejtat e njeriut në krizat shëndetësore, sociale dhe ekonomike që përfshijnë globin. “Virusi nuk diskriminon, por impaktet e tij po”, ishin fjalët e Guterres.

Në raportin e OKB thuhet se emigrantët, refugjatët dhe personat e shpërngulur janë mes kategorive më të cenueshme. 131 vende kanë mbyllur kufijtë, sipas raportit, me vetëm 30 prej tyre që po bëjnë përjashtime për azilkërkuesit.

“Nën vazhdën e rritjes se etno-nacionalizmit, populizmit, autoritarizmit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në disa vende, kriza mund të kthehet në një pretekst për zbatimin e masave represive që nuk kanë lidhje me pandeminë. Kjo është e papranueshme”, shtoi Guterres.

Shefi i OKB iu kërkoi qeverive të jenë transparente dhe të përgjegjshme, duke mos harruar se të drejtat e qytetarëve dhe liria e shtypit janë jetësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar orarin e ri për qarkullim…