Ankohet Bordi i ‘Ibër-Lepencit’: Shkarkimi nga qeveria, arbitrar dhe i jashtëligjshëm

24 prill 2020 | 15:51

Një ditë pasi është shkarkuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka ardhur reagimi i Bordit të shkarkuar të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.

Ata e kanë quajtur vendim të jashtëligjshëm dhe të motivuar politikisht. Sipas tyre nga ky vendim nuk pasqyrohet gjendja faktike në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje.

Ky është reagimi i plotë i tyre:

Reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e Bordit të N.H. “Iber-Lepenc”

Me datë 23.04.2020, Bordi i Ndërmarrjes Publike N.H. “Iber-Lepenc”, përmes medieve është njoftuar për shkarkimin e jashtëligjshëm, nga ana e Qeverisë ne detyre të Republikës së Kosovës. Me këtë rast Bordi konstaton se shkarkimi është plotësisht i jashtëligjshëm dhe i motivuar politikisht.

Vendim ky i cili nuk pasqyron gjendjen faktike të ndërmarrjes sonë, për faktin se N.H.”Iber-Lepenc”, në tri vitet e fundit ka pasur një performancë më të mirë në historinë afariste, performanc kjo e konstatuar nga raportet vjetore të auditimit të jashtëm, në të gjithë sektorët e ndërmarrjes. Se N.H.”Iber-Lepenc”, është ndërmarrje e suksesshme afariste, multifunksionale e dëshmon edhe fakti se është ndër ndërmarrjet e cila funksionimin e saj e bazon vetëm në afarizmin e saj, pa qenë asnjëherë barrë e buxhetit të Republikës së Kosovës.

Analizat statistikore vërtetojnë të kundërtën e pretendimeve të Qeverisë në detyrë:

  1. Në vitin 2018 , NP-ja ka realizuar të hyra më shumë për 25.73 për qind krahasuar me vitin paraprak .
  2. Në vitin 2018 , NP-ja ka realizuar fitim operativ para zhvlerësimit 451.62 për qind më shumë se sa në vitin paraprak .
  3. Në vitin 2018 , NP-ja ka rritur gjendjen e parasë KESH 583.38 për qind, krahasuar me vitin paraprak .
  4. Në vitin 2019 , NP-ja ka realizuar të hyra nga veprimtaria për 7.46 për qind më shumë se plani i biznesit,
  5. Në vitin 2019 , NP-ja ka realizuar fitim operativ para zhvlerësimit për 38.58 për qind më shumë se plani,
  6. Në vitin 2019 , NP-ja ka rritur gjendjen e KESH 709.30 për qind krahasuar me vitin 2017 kur e kemi marrë në menaxhim NP-n.

Vlen të theksohet fakti se ndërmarrja N.H. “Iber-Lepenc”, krahas veprimtarisë së saj, funksionimin e saj e bazon edhe në bashkëpunimin e saj me mekanizma financiar ndërkombëtar që operojnë në Kosovë, siç është Banka Botërore, me të cilën jemi duke e implementuar projektin “Siguria Ujit dhe Mbrojta e Kanalit”. Projekt ky i cili për nga rëndësia dhe funksioni i tij ndahet në dy faza, atë dizajnuese dhe implementuese. Tashmë faza e parë e këtij projekti ka përfunduar, kurse faza e dytë është në proces e sipër, e cila pritet të filloj së implementuari, dhe disbursimi i madh i  mjeteve fillon me fazën e implementimit të projektit.

Të gjitha aktivitetet në kuadër të projektit janë në realizuar në koordinim të plotë me Bankën Botërore duke respektuar rregullativën ligjore të saj, e cila buron nga marrëveshja në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore!

Vlen të theksohet se ndërmarrja prej se ka filluar bashkëpunimin me Bankën Botërore, krahas auditimeve të rregullta vjetore,  i është nënshtruar edhe  një procesi të Auditimit nga auditori i jashtëm i pranuar nga Banka Botërore për projektin e lartpërmendur, i cili po ashtu ka konstatuar performancën pozitive në të gjithë sektorët e ndërmarrjes.

Prandaj bordi i N.H. “Iber-Lepenc”, konstaton se:

Vendimi i qeverisë për shkarkimin e Bordit është arbitrar dhe i jashtëligjshëm.

Ndërmarrja N.H. “Iber-Lepenc”, në vazhdimësi në vitet e fundit ka përformuar me fitim operativ para zhvlerësimit.

Bordi i Drejtorëve vlerëson lartë përkushtimin e menaxhmentit të N.H. “Iber-Lepenc”, në realizimin e detyrave të cilat dalin nga ligji për ndërmarrjet publike, statuti  dhe plani i biznesit të ndërmarrjes.

Në veçanti Bordi i Drejtorëve ka vlerësuar aftësinë menaxhuese të menaxhmentit i cili ka siguruar funksionimin e ndërmarrjes në të gjithë territorin e Republikës, duke pasur parasysh faktin se Liqeni i Ujmanit shtrihet në pjesën veriore të vendit, ku për ne si Bord dhe për Menaxhmentin nuk ka qenë fare e lehtë duke u bazuar ne shumë specifika.

Ndërmarrja N.H. “Iber-Lepenc”, funksionimin e saj e bazon në të hyra vetanake dhe i përmbush të gjitha obligimet nga veprimtaria.

Ndërmarrja N.H. “Iber-Lepenc”, në vazhdimësi iu është nënshtruar proceseve audituese të cilat kanë konstatuar gjendjen pozitive të ndërmarrjes.

Vlen të theksohet se edhe për kundër gjendjes aktuale nga Pandemia COVID-19, ndërmarrja është e organizuar mirë në funksion të kryerjes së detyrave të saj, duke filluar nga menaxhmenti, stafi teknik profesional dhe të gjithë punëtorët e saj.

Bordi i N.H. “Iber-Lepenc”, njofton opinionin e gjerë se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar këtë vendim arbitrar të Qeverisë Republikës së Kosovës.

Me respekt,

Bordi i Drejtorëve te N. H” Iber-Lepenc”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, ka njoftuar se së bashku…