Dërgohet në kuvend ligji për largimin e Sali Berishës, Gramoz Ruçit e tjerëve nga politika

24 prill 2020 | 18:05

Njëzet deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë depozituar në Kuvend një ligj për lustracionin.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, e ka futur në axhendën e Kuvendit, ndërsa nisma parashikon përjashtimin nga funksionet publike dhe nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhje e ardhshme të gjithë ish-funksionarëve gjatë sistemit komunist.

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj për lustracionin, i cili nëse miratohet, përjashton automatikisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika dhe nga listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2021, si dhe të gjithë politikanët e tjerë, të cilat kanë ushtruar disa funksione gjatë regjimit komunist, duke përfshirë edhe Gramoz Ruçin, i cili ka qenë ministër i Brendshëm në vitet e fundit të diktaturës. Nisma ligjore, e cila do të vërë edhe një herë në provë deputetët për dekomunistizimin e politikës dhe shtetit, është propozuar nga 20 deputetë të opozitës, me në krye Mylsim Murrizin. Projektligji është përfshirë në agjendën e punimeve të Kuvendit me vendim të Konferencës së Kryetarëve, gjatë mbledhjes së fundit.

Projektligji parashikon përjashtimin nga emërimi dhe zgjedhja në funksione publike, shtetërore, politike dhe në Kuvend, të gjithë personat që kanë qenë më parë anëtarë të Partisë Komuniste dhe së Partisë Punës, ish-funksionarët e sistemit komunist, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficere të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit, të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollën e partisë si dhe spiunët e shërbimeve të huaja. Nëse ky projektligj do të miratohej, do të shkarkonte një tërmet në politikën shqiptare, Kuvend dhe në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar. 

Kategoria e parë, pra ish-anëtarët e Partisë Komuniste dhe të Punës, godet ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas dokumenteve ka qenë anëtar i Partisë së Punës që në viti 1968. Ndërkaq, të gjithë personat e përfshirë në të pesë kategoritë, nuk mund të emërohen apo zgjidhen në 29 funksione të ndryshme shtetërore. Si argumente për të bindur deputetët e tjerë për të votuar këtë ligj, 20 deputetët përmendin rezolutën nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së votoi Rezolutën mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste, disa rezoluta të Kuvendit të Shqipërisë, rezolutën e parë të KE-së që në vitin 1996, për çrrënjosjen e trashëgimisë se sistemit totalitar komunist etj. 

Mbetet për t’u parë qëndrimi i deputetëve ndaj kësaj nisma. Një ligj të ngjashëm ka propozuar edhe ish-deputetja Mesila Doda në vitin 2014. Nisma u rrëzua nga Kuvendi në atë kohë. Deputetët e PD, kolegë të zonjës Doda, nuk e mbështetën propozimin, pasi ‘digjte’ Sali Berishën. 

Kategoritë që përjashtohen 

1.    Anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe të Partisë Punës së Shqipërisë;

2.    Ish-funksionarët e Sistemit Komunist;

3.    Ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficere të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit (spiunë Sigurimi);

4.    Të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë (PPSH-së) dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës;

5.    Ish-anëtarët ose bashkëpunëtoret e Shërbimeve te Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës.

Pozicionet nga të cilat përjashtohen 

1.    President 

2.    Kryeministër 

3.    Deputet i Kuvendit 

4.    Ministër

5.    Zëvendësministër 

6.    Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

7.    Anëtarë të Gjykatës së Lartë

8.    Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 

9.    Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor 

10.    Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë 

11.    Titullarë të institucioneve të pavarura kushtetuese që zgjidhen ose emërohen nga

12.    Kuvendi, Presidenti, Kryeministri, Këshilli i Ministrave

13.    Prokurorë ose gjyqtarë të të gjitha niveleve

14.    Kryetar bashkie

15.    Prefekt

16.    Drejtor të përgjithshëm, drejtor drejtorie, drejtorë rajonalë në të gjitha

17.    institucionet shtetërore

18.    Drejtorë dhe drejtues në Policinë e Shtetit

19.    Të Shërbimit Informativ të Shtetit

20.    Të Gardës së Republikës 

21.    Të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

22.    Ambasador

23.    Konsull

24.    Sekretare të Përgjithshëm në çdo institucion

25.    Këshilltarë dhe shefe kabineti të Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të

26.    Kuvendit, ministrave, të institucioneve kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi qeveria holandeze vendosi pezullimin e aktiviteteve sportive në vend…