Spanjë/ 42 ditë në izolim të plotë, fëmijët shijojnë lirinë (Foto)

27 prill 2020 | 09:55

Rrugët e Spanjës u gjallëruan sërish nga zërat e fëmijëve. Pas 42 ditësh izolim të plotë, më shumë se 6 milionë të mitur nën moshën 14-vjeçare, u lejuan të dalin jashtë për një shëtitje 60 minutëshe dhe panorama e zymtë e qyteteve ndryshoi.

Të shoqëruar nga prindërit dhe me maska, fëmijët nxorën lodrat nga shtëpia, e megjithatë ishin të detyruar të mos i ndanin me shokët, apo moshatarët e tjerë.
Disa prej tyre thanë se gjithçka u dukej më e madhe tani, ndërsa për të tjerë rikthimi në ajër të pastër ishte një çlirim.

“E vlerësojmë shumë që na lejuam të dilnim nga shtëpia, pasi gjithçka po bëhej shumë e mërzitshme.

Edhe pse kemi “PlayStation”, e mund të flasim me shokët me WhatsApp, është mirë të marrim pak ajër të pastër”, u shpreh një qytetar.
Nga e diela, fëmijët do të mund të dalin për një orë në ditë, me kushtin që të qëndrojnë deri në rrezen e 1 km nga shtëpia. Spanja, një prej vendeve më të prekura nga pandemia, aplikoi disa prej masave më të rrepta, në përpjekjen për ta frenuar atë.

Izolimi i plotë i fëmijëve për më shumë se 6 javë nxiti kundërshti të ashpra, e kryeministri Pedro Sanchez u detyrua të bëjë lëshime. Ai njoftoi lehtësime të mëtejshme të kufizimeve, por u kërkoi qytetarëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të zbatojnë maksimalisht rregullat.
Situata në Spanjë ka përmirësim të ndjeshëm, e çdo ditë raportohen më pak viktima, infektime e shtrime në spital. Të dielën, vdekjet e reja ranë për herë të parë nën shifrën e 300, më 288 jetë të humbura nga koronavirusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendon se deklaratat…