Deklaratat e Hazirit e të Haxhiut zbuluan marrëveshjen që po i përgatitet Kosovës

27 prill 2020 | 09:52

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendon se deklaratat e gazetarit Baton Haxhiu dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, kanë zbuluar se çfarë marrëveshje e pret Kosovën në bisedimet me Serbinë.

“Javën që shkoi patëm disa deklarata tejet skandaloze dhe kriminale që tentojnë të përgatisin substratin e një marrëveshje të dëmshme me Serbinë thelbi i së cilës është ndarja e Kosovës.Për pozicionin dhe mënyrën e negociimit foli nënkryetari i LDK-së Haziri, duke treguar që më shumë se mbrojtje e kanë ofertë për Serbinë çështjen e kufijve, në anën tjetër kishim deklaratën e Baton Haxhiut, i cili përpos që para gjithë shqiptarëve na i shiti si të pavlera krimet e Serbisë në Kosovë foli edhe për ‘ridefinimin e veriut’”, ka shkruar Haxhiu.

“Të dyja këto deklarata flasin qartë për PLAN-in që po i përgatisin Kosovës këta që aktualisht janë duke bërë përpjekje antikushtetuese për të formuar një qeveri jolegjitime. ”Gazetari” Haxhiu që për disa muaj na u zhdukë nga skena menjëherë na u paraqitë në media për të na treguar mbi ujditë e fundit me Serbinë. Pra, ky që së bashku me Presidentin para pak kohësh flisnin për ”një korrigjim të lehtë të kufijve” e ”dhuratën e Rankoviqit”, tash paska dalë me një emër të ri për idenë e vjetër të coptimit të Republikës së Kosovës nën titullin ”ridefinim i veriut”. Këta siç duket ujdinë e gatshme duan ta sjellin në Kosovë, por kjo gjë ka përfunduar njëherë e mirë. Protesta e shtatorit 29 shtatorit 2018 ”Një Popull s’i nënshtrohet një Njeriu” dhe zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar janë shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve të këtij vendi”, ka shkuar ajo.

“Ndërkaq deklarata e Baton Haxhiut se është e panevojshme të kërkohet dënimi i krimeve të luftës është krim për së dyti ndaj dëshmorëve të kombit, mbi 12 mijë të vrarëve, 1641 të pagjeturve, 20 mijë grave të dhunuara e familjarëve të tyre të cilët ende kërkojnë drejtësi”, ka shprehur mendimin Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa kompani të mëdha gjermane, përfshirë firmat “Bayer”, “Allianz”, “Puma”…