Reka dhe Cakaj shpresojnë se Kosova shumë shpejtë do ta gëzojë liberalizimin e vizave

27 prill 2020 | 12:22

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian i Kosovës (MIE), Blerim Reka, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Gjatë kësaj bisede, ata kanë shprehur kënaqësinë e ndërsjellë, për nënshkrimin ndonëse në distancë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës Së Shqipërisë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës për Mbështetjen e Ndërsjellë në Kuadër të Përgatitjes për Hapjen dhe Zhvillimin e Negociatave të Pranimit.

“Ministrat Reka dhe Cakaj, konstatuan rëndësinë e kësaj marrëveshje për bashkëpunimin bilateral në përgatitjen ndër-institucionale për procesin integrues në Bashkimin Evropian. Ministri Reka, i uroi homologut të tij z. Cakaj për rekomandimin e Komisionit Evropian, për hapjen e negociatave anëtarësuese në Bashkimin Evropian të Republikës së Shqipërisë, ndërkaq që ty së bashku ndajnë shpresën që Kosova, të gëzojë liberalizimin e vizave, dhe së shpejti, të fillojë përgatitjet për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, ka njoftuar MIE-ja.

Më tutje në këtë bisedë telefonike, ata e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe anën praktike të kësaj marrëveshje, përmes së cilës zyrtarët dhe ekspertët nga të dy anët e kufirit, do të punojnë së bashku, duke këmbyer dijen dhe përvojat, brenda mekanizmave dhe strukturave insitucionale, që do të krijohen në përputhje me këtë kornizë bashkëpunimi.

“Në veçanti, duke u përqendruar në krijimin e strukturave negociuese për negociatat anëtarësuese, të grupeve të ekspertëve sipas kapitujve negociues dhe për procesin e vlerësimit të screeningut. Në funksion të jetësimit të kësaj marrëveshje, do të formohet Komiteti i Përbashkët, i cili do të mblidhet dy herë në vit për të shqyrtuar planet e veprimit 6 mujore”.

“Në përmbledhje, ishte pajtim i përbashkët se bashkimi i kapaciteteve administrative ndër-shtetërore, përmes bashkimit të kapaciteteve profesionale, redukimit të kohës dhe kursim buxhetesh, përveç avancimit të resursve institucionale përgatitore për fazat e ardhshme integruese, do t’a shpejtojë edhe përkthimin e filluar në gjuhën shqipe të drejtës së BE (acquis) për të dyja vendet”, ka njoftuar ministria e drejtuar nga Blerim Reka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diego Costa ishte sulmuesi kryesor i Antonio Contes në vitin…