IKShPK-ja: I kuptojmë shqetësimet, por nuk mund t’i nënshtrohemi diktatit të askujt

27 prill 2020 | 13:05

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.

Nëpërmjet një reagimi dërguar medieve nga ky institut është thënë se nga 8 shkurti deri më 26 prill në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2, ku prej tyre kanë rezultuar pozitiv 763 persona.

“IKShPK-ja e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet, pasi që një përgjegjësi e tillë i takon IKShPK-së, e cila bën hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave si dhe komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla”.

“Fatkeqësisht, individë të ndryshëm, dukë përdorur edhe medien dhe ndjeshmërinë e situatës, bëjnë presion mbi epidemiologët, të cilëve u ka rënë barra kryesore e kontaktit me pacientët e infektuar, të gjitha kontaktet e tyre, dhe gjatë punës së tyre, këto ekipe ndeshen me sjellje të vrazhda si dhe marrin edhe fyerje nga personat e tillë”, është thënë në reagimin e IKShPK-së.

Më tutje, IKShPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të kenë mirëkuptim në lidhje me gjendjen në të cilën gjendet vendi.

“IKShPK-ja kërkon nga personat të cilët janë kontakte të kontakteve që të kenë mirëkuptim gjatë punës me ekipet e IKShPK-së dhe ta kuptojnë faktin se jo të gjithë mund të testohen në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë, përderisa kërkon më shumë kujdes dhe mirësjellje nga të tjerët që në mënyrë të padrejtë dhe nga karantinat e ndryshme shigjetojnë profesionistët shëndetësor dhe institucionit duke adresuar kritika të paargumentuara dhe duke njollosur punën e IKShPK-së”.

“IKShPK-ja do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në zbatimin e Planit të Veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit Covid-19, dhe të ruaj shëndetin publik të popullatës”, është thënë në këtë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinion publik se ashtu siç…