Hong Kong, shpiket ‘veshja’ antivirale

27 prill 2020 | 13:46

Shkencëtarët në Hong-Kong kanë arritur të krijojnë një solucion që mund të spërkatet në sipërfaqet e objekteve për të evituar përhapjen e viruseve. Pandemia e koronavirusit në qytetin gjysmautonom kinez ka infektuar mbi 1 mijë persona por vetëm 4 viktima dhe asnjë rast të ri në dy ditët e fundit.

Një ekip shkencëtarësh kanë krijuar një solucion kimik që mund të aplikohet në sipërfaqe për të rritur mbrojtjen kundër baktereve dhe viruseve.

Solucioni përmban miliona nanokapsula me dezinfektantë që mund të lëshohen me anë të sprejit në objektet si butonat e ashensorit apo parmakët e shkallëve, për të mos transmetuar sëmundjet infektive, përfshirë Covid-19.

Ajo rezulton efektive për shumë lloje të reja virusesh dhe bakteresh deri tre muaj, edhe pasi është tharë.

“Sipërfaqet që preken më shpesh shërbejnë si medium për transmetimin e sëmundjeve. Në kontaktin me njeriun, materiali ynë polimer ndjen temperaturën e trupit dhe hapet duke lëshuar lëndë dezinfektuese. Sapo heq dorën, ato mbyllen sërish,” shpjegon profesori Xhozef Kuan, në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong-Kong.

Ekipi i tij e ka studiuar materialin prej dhjetë vitesh.

Me vetitë e nxehtësisë, solucioni ndryshon nga substancat si alkooli apo detergjentët që përdoren tani kundër pandemisë së koronavirusit.

“Në godinën tonë mund të infektohemi lehtësisht nëse ka raste të konfirmuara me koronavirusit. Pas spërkatjes me shtresën mbrojtëse ndihem më e mbrojtur.”

“Është më mirë tani me solucionin. Ata janë profesionistë në fushë ndaj unë kam besim,” shprehen dy banorë të qytetit aziatik në godinat e të cilëve është testuar lënda jotoksike.

Pas provave klinike në spitale, në shtëpitë për të moshuarit dhe në zonat me të ardhura të ulëta, solucioni mbrojtës është miratuar për përdorim në shkolla, qendrat tregtare dhe palestrat.

Spreji pritet të dalë në shitje edhe për konsumatorët e Hong-Kongut nga muaji maj.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërkohë që në shumë shtete të Europës pritet të rifillojë…