Covid-19 shtyn ekstradimin e Julian Assange

27 prill 2020 | 15:26

Pandemia e koronavirusit në Britani ka detyruar një gjykatë të shtyjë procesin gjyqësor për themeluesin të Wikileaks-it, Julian Assange. Ai kërkohet të ekstradohet drejt SHBA-së për akuzat e spiunazhit për shkak të publikimit të kabllogrameve sekrete.

Themeluesi i Wikileaks-it, Julian Assange, mund t’i duhet të presë deri në vjeshtë për fillimin e procesit gjyqësor rreth ekstradimit të tij drejt Amerikës.

Një gjykatë londineze vendosi të hënën të shtyjë shqyrtimin e çështjes ndaj 48-vjeçarit me kërkesë të palës mbrojtëse.

Si pasojë e regjimit të masave kundër koronavirusit në Britaninë e Madhe, avokatët e Assange thanë se nuk kanë mundur të ndjekin udhëzimet e klientit, ndërsa prej një muaji kontaktet me të kanë qenë vetëm telefonike.

Data e gjyqit të ardhshëm pritet të saktësohet të hënën që vjen, por gjykatësja e çështjes paralajmëroi se procesi mund të rifillojë në nëntor pasi palët kanë impenjime në datat e mëhershme.

Gazetari dhe aktivisti australian, Assange, krijoi organizatën “Wikileaks” në vitin 2006 ndërsa katër vite më vonë do të publikonte dokumente sekrete të diplomacisë dhe ushtrisë amerikane.

Me botimin e kabllogrameve, ai mbetet në akuzën e Uashingtonit për shkelje të ligjeve të spiunazhit dhe të kibernetikës dhe rrezikon 175 vite burg.

Assange i ka rezistuar kërkesave të shteteve të ndryshme për ekstradim që prej marrjes së azilit në ambasadën ekuadoriane në Londër në vitin 2012.

Prillin e kaluar 48-vjeçari do të nxirrej me forcë nga godina pasi iu refuzua e drejta e strehimit, ndërsa prej më shumë se një viti ruhet në një burg të sigurisë së lartë në kryeqytetin anglez.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…