Selimi: Mocioni ndodhi për t’i hapur rrugë marrëveshjes me Serbinë dhe mandatit të dytë të Thaçit

27 prill 2020 | 20:57

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në “Raport” të KTV-së ka thënë se mocioni ndaj Qeverisë Kurti ka ndodhur për t’i hapur rrugë marrëveshjes me Serbinë dhe mandatit të dytë të presidentit Hashim Thaçi.

Ai thotë se LDK-ja ka ndryshuar qëndrim, dhe jo Albin Kurti.

“Kushti për t’u tërhequr tarifa ka qenë kërkesë e Serbisë, dhe kjo është nga për dhe në favor të Serbisë. Këtë kusht e ka dhënë Vuçiqi e jo SHBA-ja, e pastaj në interes të bisedimeve ka ardhur edhe kjo nga SHBA-ja. Për përgjigje të kësaj Kurti kishte dhënë dhe ka zbatuar ato që kishte premtuar, se ajo do të zëvendësohej me reciprocitet. E madje për këtë kishim marrëveshje të shkruar edhe me LDK-në për këtë. Kjo tregon se ka ndryshuar LDK-ja e jo Kurti. Në fakt, qëllimi ishte mosvënia e reciprocitetit, e jo taksa. Presioni për të hequr tarifën më shumë në favor për të mos vënë reciprocitetin”, është shprehur Selimi.

Ai thotë se reciprocitetin e kanë mësuar nga shtetet e tjera, derisa thekson se nuk ka qenë befasi veprimet e LDK-së, pas letrës së Mustafës dërguar Kurtit.

“Këtë nuk e kemi shpikur ne, por kemi mësuar ndoshta edhe nga vet SHBA-ja apo shtetet e Evropës. Dhe erdhëm në situatën kur partneri jonë e ndryshoi mendjen, dhe nuk e di pse e bëri. Ndonëse ata e dinin se ekzistonte një plan. Pra, pas letrës së Mustafës se nuk do të mund të vazhdojë tutje kjo nuk ka qenë befasi, se pse ka ndryshuar ata mund të tregojnë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij as për tarifën, e as për Veliun nuk ka ndodhur mocioni, por pas saj qëndrojnë dy arsye.

“Si një hallkë po, mendoj se Qeveria ka shkuar në mocion për dy arsye kryesore: Për t’i hapur rrugë jobisedimeve, tarifa është kërkuar për t’i hapur rrugë marrëveshjes. Pra ata nuk kanë kërkuar që të vazhdohet dialogu, fjala dialog për ta ka nënkuptuar marrëveshje. Presidenti ka kërkuar që të tërhiqet tarifa dhe të nënshkruhet marrëveshja menjëherë. Arsyeja tjetër është ajo e mandatit të dytë të Thaçit”, ka thënë Selimi.

Pra, dy gjëra, sipas tij, s’kanë mundur të ndodhin me Qeverinë Kurti.

“S’ka mundur të ndodhë që Thaçi të marrë mandat të dytë dhe të arrihet marrëveshja. Këto janë arsye të mjaftueshme që Thaçi e Mustafa të merren vesh që t’i japin dhe t’i marrin njëri – tjetrit. Sot jemi në situatë kur LDK-ja i ka kërkuar mandatin, pavarësisht shkeljeve kushtetuese dhe në këmbim të kësaj t’i jepet Thaçit mandatin e dytë, dhe të dyja këto për arritjen e marrëveshjes”, është shprehur Selimi në “Raport”.

Sipas Selimit presidenti Thaçi po vazhdon ta shfrytëzojë Isa Mustafën dhe LDK-në që të vazhdojë mandatin dhe të arrijë marrëveshjen me Serbinë.

Ai thotë se Thaçi disa herë ka shkelur Kushtetutën, derisa sipas tij po tentohet që të shkelet ajo derisa të ndryshohet kur të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

“Disa herë Thaçi ka shkelur Kushtetutën, tashmë është anashkaluar fituesi i zgjedhjeve. Këto letra nuk e zëvendësojnë procedurën që presidenti duhet ta ndjekë. Ai po vazhdon këto t’i zëvendësojë me disa letra. Këta e dinë se tashmë e kanë shkelur Kushtetutën, dhe këtë po mundojnë ta shkelin derisa të arrijnë te marrëveshja me Serbinë. Nëse këta arrijnë të suprimojnë Kushtetutën, derisa të arrijnë në cakun tjetër me marrëveshjen me Serbinë, pasi në një rast të tillë të marrëveshjes do të ndryshohej edhe Kushtetuta. Nga bashkëbisedues ata janë kthyer në bashkëpunëtorë të Vuçiqit”, ka thënë Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka bërë ende…